FIFA konfirmon afatin e 14 marsit
FIFA ka konfirmuar dje se në axhendën e Komitetit Ekzekutiv të saj, që mblidhet më 14 mars, do të jenë problemet që kanë shfaqur federata të ndryshme. Në mbledhjen e parë që drejtuesit e FIFA-s do të zhvillojnë pas një jave, do të shqyrtohen disa prej konflikteve "politike" që po kalojnë federatat anëtare të kësaj organizate. "Do të trajtohen disa çështje ligjore dhe të politikave sportive, si ato që shqetësojnë disa prej federatave anëtare", shkruhet në komunikatën për shtyp të botuar dje në faqen zyrtare të internetit të FIFA-s. Dy çështjet më të nxehta të momentit janë padyshim ajo e Shqipërisë dhe e Spanjës, ku në të dyja rastet, qeveritë përkatëse kanë bërë tentativa të ndërhyjnë në autonominë vendimmarrëse të federatave sportive. FIFA ka bërë të qartë se në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të saj mund të marrë masën e përjashtimit nga aktivitetet të këtyre vendeve, nëse qeveritë përkatëse nuk tërhiqen ndaj kërkesave që bien ndesh me rregulloret ndërkombëtare.