Kush del sonte nga shtëpia
Banorët flasin për eksperiencën në shtëpinë e "Big Brother". Ata e vlerësojnë këtë si një eksperiencë shumë të bukur dhe si një mundësi për të bërë shokë. Olsi vlerëson faktin që ka njohur Rominën këtu brenda dhe se do të donte që edhe jashtë të vazhdonte shoqërinë me të gjithë.
Banorët flasin për personin që mund të dalë jashtë shtëpisë të shtunën. Julinda, Poli dhe Juna janë të mendimit se nesër do të dalë Romina, ndërsa Ingridi mendon se do të dalë ajo jashtë për vetë faktin se është një nënë dhe njerëzit gjykojnë se ajo duhet të jetë pranë fëmijëve, të tjerët nuk aprovojnë. Poli i thotë Ingridit të mos e përjetojë shumë keq edhe nëse del nga loja, ndërsa Juna mendon se do të jetë shumë e keqe situata për atë që del i pari. Ingridi mendon se kanë influencuar që të tjerët të mos shoqërohen me të.
Najada ngacmon Astritin për mënyrën sesi ai///////////// konsideron veten duke i thënë vdeksha unë për ty. Astriti nuk ka vonuar me kundërpërgjigjen dhe i thotë asaj të mos vdesë, sepse ju duhen edhe nja dy ditë.
Ende pa vajtur në kuzhinë, Juna qëndron në banjë ku gjendet Ingridi duke pastruar. Ajo e pyet nëse ka edhe shumë punë. Kur kthehet për në dhomë, në korridor shkëmbehet me Olsin, i cili sapo ka përfunduar së ngrëni mëngjes në oborr, ku bën shumë ftohtë. Papritur, ai e kap për dore dhe duke bërë batuta e puth në faqe. Çfarë nis mes tyre?
Ingridi dhe Juna, që tashmë janë bërë shoqe, po tentojnë të krijojnë një lidhje me Olsin dhe ai nuk është indiferent ndaj kësaj. Ato i kërkojnë atij kuptimin e ëndrrave që kanë parë natën.
Romina me Visin janë jashtë duke ngrënë mëngjes dhe flasin për banorët. Ata çuditen me Olsin, i cili ka qenë shumë i qetë gjatë gjithë ditëve që kanë kaluar bashkë. Romina ia pret se Olsi së shpejti do nisë të nervozohet. "Këta tipat e qetë e kanë me vonesë, jo se nuk acarohen", komenton ajo.
"Edhe një ditë me ke, o Noçe", i thotë Çimi asaj. Kurse ajo i përgjigjet se ai duhet ta ketë një lloj sigurie te vetja, ashtu si do ta kishte edhe ajo, po të ishte e nominuar. Çimi i thotë se tashmë çdo gjë është në dorë të atyre që votojnë.
Kur ikën Olsi nga tavolina, Najada e mbetur vetëm me Çimin i thotë se Çimi është ‘lubia‘ e cigareve, e megjithatë i jep një cigare nga të vetat. Çimi i thotë se batuta që bëri ajo dje me Olsin, se "ai ngjante si të ishte shoqja e vet"- ishte shaka e rëndë. Por ajo i thotë se kjo kishte qenë përgjigje për atë që i tha Olsi. "Të hipi lart apo poshtë", më tha, - tregon Najada. Çimi pretendon të mbajë mend se kush e kishte nisur i pari, duke i thënë Najadës se ishte ajo që e kishte ngacmuar që në fillim. Në atë moment, vjen Romina dhe Najada e pyet si dëshmitare të ngjarjes dhe vajza tjetër e konfirmon. Çimi insiston se duke thënë se fjala nxjerr fjalën edhe kështu do përfundojnë duke u zënë. "Kjo gjë do prishë ekuilibrat, se ne jemi një grup i mirë", thotë Çimi.
Romina dhe Çimi e mbajtën fjalën e dhënë për të përgatitur drekën për të gjithë banorët. Romina po shtron tavolinën e ndërsa Çimi ka përgatitur drekën. Romina premtoi dje se nëse do të ndihej më mirë nga këmba do të përgatiste drekën së bashku me Çimin.
Askush nuk arrin të flejë para orës katër të mëngjesit në shtëpinë e B.B. Romina, Çimi dhe Visi kanë dalë në verandë dhe po debatojnë sërish, duke pirë cigare. Çimi flet për bashkëshorten, duke e konsideruar së pari shoqe pastaj grua. Romina thotë se nuk e di pse, por ka vënë re se meshkujt ndihen në siklet me të dhe ajo s‘e kupton arsyen. "Ata e nisin diçka edhe pastaj frenohen", komenton ajo. Krenaria e Rominës, nuk e le të "qarravitet", por ama duket se kjo gjë e ka lënduar kur flet për personin e fundit me të cilin ka pasur një marrëdhënie.
Arbri dhe Poli me disa nga gocat janë në një dhomë. Të gjithë kujtohen për datën, duke u çuditur edhe vetë sesi ka kaluar koha aq shpejt. Juli kërkon që nesër të ngrejë vetë dollinë për 8 Marsin. Ideja e Arbrit është që atë ditë të gatuajnë edhe të pastrojnë vetëm meshkujt dhe femrat të festojnë. Gocave u pëlqen kjo ide, por është ende për t‘u diskutuar me çunat e tjerë të shtëpisë.
Janë mbledhur të gjithë në verandë dhe debatet vlojnë sa nga një temë te tjetra. Nisin e flasin për eksperienca që kanë pasur me njerëz të racave të ndryshme dhe Poli thotë i pari se racizmi është injorancë, ndërsa Juli thotë se ajo nuk i paragjykon njerëzit nga ngjyra e lëkurës. Olsi thotë se ka pasur të dashura me ngjyrë. Ina thotë se kur ka lindur ka pirë qumësht nga gjiri i një gruaje rome. Besa tregon se meshkujt me ngjyrë i pëlqejnë, por pastaj qesh edhe thotë se bëri shaka. Ajo shton se nuk ka asnjë paragjykim prej ngjyrës së lëkurës. Najada thotë se në Itali ka pasur shumë shokë nga Afrika dhe asaj i janë gjendur pranë në momente shoqërore. Olsi mendon se "njerëzit me ngjyra kanë krijuar një kompleks ndaj të bardhëve" ndaj shpesh sillen mirë. Najada thotë se zakonisht njerëzit me ngjyrë janë përherë me humor të mirë. Arbri tregon se nga eksperienca e tij, kulturat afrikane janë shumë të pasura dhe tepër interesante për t‘u njohur nga evropianët.
Nga xhentilesa mashkullore, Çimi, i cili ka folur gjatë arrin të kthejë "petullën" nga ana e femrave, duke bërë komentin se "femrat shqiptare tërhiqen nga leku". Reagimi i Najadës, Rominës dhe Inës është i menjëhershëm, duke thënë se vetëm disa femra janë të tilla. Romina jep shembullin e vet, duke thënë se ajo ka paguar dhe paguan shumë shpesh në shoqëri të të dashurve të saj. Visi gjithashtu është i mendimit se femrat dashurinë e lidhin me materializmin. Juna që afrohet ndërsa biseda është në kulmin e saj, thotë gjithashtu që nuk mund të bëhen përgjithësime për femrat, por sjellje të tilla nga femrat mund të shohësh shpesh.
Najada shumë papritur hap një temë bisedë me temën: "Meshkujt shqiptarë janë xhentëlmenë apo jo!". Ajo bashkë me Inën dhe Polin i janë bashkuar grupit në verandë. Olsi, në krah të saj, ia kthen menjëherë: "Më kë e ke pyetjen, apo të gjithë me radhë?" Kurse ajo pa ia hedhur sytë i thotë se mund ta nisi ai i pari nëse ka dëshirë. Por është Çimi dhe Romina që nisin debatin, duke thënë se ky është një problem, sidomos për femrat. Olsi i ndërpret, duke dhënë një nga përgjigjet e tij "formulë" për femrat: "Ka femra që vlerësojnë xhentilesën, ka femra që vlerësojnë arrogancën." Me pak fjalë Olsi justifikon meshkujt që nuk janë "xhentilë" duke thënë se nëse është kështu një mashkull, është femra e vet që e do në këtë mënyrë. Debati monopolizohet nga Olsi dhe tashmë ai nuk gjen më asnjë rezistencë dhe kështu nis një monolog të gjatë. Romina e ndërpret, duke e pyetur si është ai vetë. Ai i përgjigjet që është shumë i sjellshëm.