E Diel, 1 Nëntor 2026

Pentagoni ndalon "Google"-in t‘u afrohet bazave ushtarake

Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka ndaluar motorin gjigand të kërkimit, "Google", që të filmojë brenda bazave ushtarake amerikane, si dhe të bëjë vëzhgime të detajuara të tyre. Imazhet e afërta tokësore të bazave amerikane përbëjnë një "kërcënim të mundshëm" për sigurinë, tha Pentagoni. Lëvizja vjen pas zbulimit të disa imazheve të bazës ushtarake "Fort Sam Houston", në Teksas, në hartat e "Google"-it. Një zëdhënës i "Google"-it tha se sa herë që ushtria amerikane ka shprehur shqetësime, imazhet janë hequr. "Google" tani ka ndaluar filmimin dhe fotot e afërta të bazave, pas zbulimit të panoramave të detajuara tredimensionale online dhe në veçanti pamjeve të bazës teksane. "Imazhet përfshijnë pamje 360 gradëshe të zonës së ndaluar, përfshirë pikat e kontrollit në hyrje, zyrat qendrore, si dhe objektet e tjera", tha departamenti në një deklaratë për shtyp të cituar nga agjencia e lajmeve AFP. Ai shtoi se harta e detajuar mund të përbënte rrezik. Zëdhënësi i "Google"-it, Lerri Ju, tha se vendimi i marrë nga ekipi drejtues i "Google"-it për të hyrë në bazën e Teksasit, në San Antonio, dhe bërja e një vëzhgimi të detajuar ka qenë një "gabim". Ai tha se "nuk është politikë e jona të kërkojmë akses në bazat ushtarake, por në këtë instancë, operatorit të mjetit me kamera (pasi kështu sigurohen imazhet) që ka kërkuar leje për të hyrë në një zonë ushtarake, i ishte dhënë leje, dhe pasi ky episod u bë i ditur, ne menjëherë larguam imazhet e marra". Zyrtarët ushtarakë aktualisht po kontrollojnë se çfarë imazhesh janë ende të vlefshme, edhe pse nuk do të jenë në gjendje të urdhërojnë heqjen e tyre nëse janë marrë nga rrugë publike. Mes shërbimeve më popullore që ofrohen nga "Google" janë pamjet nga rrugët ("Street View"), që lejojnë përdoruesit e rrjetit të "udhëtojnë" virtualisht nëpër vende të ndryshme me pamje që vijnë nga niveli tokësor dhe "Google Earth", i cili ofron imazhe të të gjithë botës nga sateliti, të detajuara dhe tredimensionale. Në këtë rast të fundit kanë qenë imazhet e ofruara në "Street View" ato që kanë ngjallur shqetësim. Por sidoqoftë, të dyja këto shërbime kanë nxitur ankesa të individëve por edhe qeverive, për shkak se pamjet nga sateliti mund të komprometojnë sigurinë. Geri Ross, një zëdhënës i komandës veriore të ushtrisë amerikane, ka thënë për AFP-në se pavarësisht se shërbime të tilla mund të jenë të dobishme, duhet të ketë një lloj kontrolli apo mbikëqyrjeje. Por, në anën tjetër, zëdhënësi i "Google"-it tha se kompania do të ishte e kujdesshme dhe do të dëgjonte çdo shqetësim në lidhje me privatësinë apo sigurinë. "Ne jemi të prirur që të heqim imazhet për të cilat na vijnë ankesa, jo vetëm ushtarake, por edhe konsumatore gjithashtu", tha zëdhënësi Ju. "Nëse njerëzit janë të shqetësuar për diçka, mjafton të kontaktojnë me ne".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›