E Diel, 1 Nëntor 2026

ETA përgjak zgjedhjet në Spanjë

Partitë kryesore në Spanjë kanë ndërprerë fushatën elektorale dy ditë para zgjedhjeve, pasi një ish-këshilltar nga radhët e Partisë Socialiste u vra në vendin bask. Isaias Karrasko, baba i tre fëmijëve, u qëllua për vdekje në sytë e të shoqes dhe vajzës së vogël, në qytetin e vogël Mondragon, rreth orës 12:30 të së premtes. "Iu afrova dritares dhe pashë gruan dhe vajzën e tij që qanin dhe thërrisnin: Vrasës, vrasës. Gjoksi i tij ishte mbuluar me gjak dhe ato kishin gjak në duar gjithashtu", rrëfen një grua. Askush nuk e mori përsipër menjëherë atentatin, por rebelët separatistë baskë shpesh kanë pasur si shënjestra këshilltarët lokalë dhe kanë kryer sulme të tilla. Kryeministri socialist, Hoze Luis Rodrigues Zapatero, që ndërpreu bisedimet e paqes me grupin separatist bask, ETA, në dhjetor 2006, kryeson në sondazhet parazgjedhore kundrejt opozitës konservatore, Partisë Popullore të Spanjës. Zapatero u bë Kryeministër pas një fitoreje surprizë në zgjedhjet që pasuan një tjetër sulm terrorist në 2004-ën, kur ekstremistët islamikë vranë 191 persona në metronë e Madridit. Efekti që atentati i së premtes do të ketë në zgjedhjet e nesërme, nuk është i qartë. Zapatero ka kryesuar një ofensivë kundër ETA-s, por Partia Popullore e akuzon se është treguar i butë me separatistët baskë në të shkuarën. "Ndoshta kjo do të bëjë që më shumë njerëz të dalin në zgjedhje të dielën", thotë Julian Santamaria, një profesor politike në universitetin "Complutense" në Madrid, por ai thotë se nuk mendon që vrasja mund të ndryshojë tendencat e deritanishme të zgjedhësve. Si Partia Socialiste, ashtu edhe ajo Popullore, bënë të ditur se kishin anuluar mitingjet elektorale të së premtes, dita e fundit e fushatës elektorale, sipas ligjit spanjoll. Partia Popullore, e themeluar nga mbështetës të ish-diktatorit Francisko Franko, ishte 4 pikë pas socialistëve të hënën, para se të hynte në fuqi ndalimi i publikimit të sondazheve paraelektorale. Por, zgjedhësit e majtë janë të prirur të dalin më pak në votime se sa konservatorët dhe fitorja surprizë e Zapateros, në 2004-ën, ishte pjesërisht për shkak të një daljeje të pazakontë në votime, veçanërisht nga të rinjtë, të zemëruar nga veprimet e qeverisë së atëhershme të popullorëve, që fajësoi ETA-n për bombat në metro. Zapatero shpreson që politikat e tij sociale, liberale, si legalizimi i martesave mes gejve dhe lehtësimi i procedurave të divorcit, do t‘i nxjerrin zgjedhësit e rinj në votime pavarësisht shenjave se bumi që zgjat që prej një dekade, kryesisht për shkak të çmimeve në rritje të banesave dhe kredive lehtësisht të sigurueshme, mund të përfundojë. Çmimet e banesave kanë rënë me 3.5 për qind që pas kulmit të arritur prej tyre në korrik, pas 10 vjetësh rritje të pandalshme. Papunësia në anën tjetër është rritur me rreth 10 për qind në një vit dhe aktualisht në Spanjë numërohen 2.3 milionë të papunë. Socialistët shpresojnë se më shumë shpenzime në infrastrukturë dhe një rimbursim taksash prej 400 eurosh do të ndihmojnë në mbajtjen e nivelit të rritjes ekonomike në 3 për qind në vit dhe krijimin e vendeve të reja të punës për punëtorët e ndërtimit. Partia Popullore kërkon në anën tjetër ulje të taksave mbi pagat dhe kompanitë, si edhe kontroll më të rreptë të emigracionit për të reduktuar dëmet në shërbimet publike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›