E Diel, 1 Nëntor 2026

Lipi, te Milani me "listë lojtarësh"

Marçelo Lipi është gati të marrë përsipër rindërtimin e Milanit, por vetëm nëse klubi kuqezi i garanton atij "listën e dëshirave" në merkaton e verës. Ish-trajneri i Italisë shihet nga të gjithë si pasardhësi i Ançelotit në pankinën e "djallit", sidomos tani kur ekipi ka nevojë për një mentalitet të ri për të filluar gjithçka nga e para. Ndonëse klubi vazhdon të konfirmojë trajnerin aktual në postin e tij, mediat italiane kanë vijuar spekulimet rreth Lipit, duke e kthyer në një "telenovelë" të ardhmen e Milanit.

Sipas disa prej gazetave më të njohura italiane, Lipi është parimisht dakord që të marrë drejtimin e klubit që në qershor, pas mbylljes së këtij sezoni. Por ai ka vënë disa objektiva që kanë lidhje me merkaton, të cilat nuk përputhen me shifrat që klubi është gati të shpenzojë gjatë verës. Lipi ka kërkuar Kuarezmën e Portos, Kamoranezin, Zambrotën, Jakuintën dhe Kanavaron, për të rindërtuar nga fillimi të gjitha repartet e kuqezinjve. Duke parë këto emra, duket qartë se ai synon të rindërtojë lojën nga krahët, që ka munguar plotësisht gjatë këtij sezoni dhe shihet si arsyeja kryesore e disfatave në arenën ndërkombëtare dhe në kampionat. Por klubi ka vështirësi në sigurimin e këtyre lojtarëve, sidomos të atyre që aktualisht militojnë në radhët e Juventusit, pasi bardhezinjtë nuk duan të heqin dorë nga disa prej futbollistëve më cilësorë. Nëse kuqezinjtë nuk do të arrinin kualifikimin në Ligën e Kampioneve, gjithçka do të bëhej më e vështirë, pasi askush nuk dëshiron të kalojë një vit pa marrë pjesë në kompeticionin më të rëndësishëm për klube.

Ndonëse Lipi mbetet në pritje, ndoshta deri në javën e fundit të sezonit, drejtuesit e klubit nuk kanë hequr dorë nga merkatoja dhe po ndjekin me vëmendje disa objektiva. Shevçenko dhe Drogba janë prioritetet e repartit të avancuar, pasi mungon Ronaldo i dëmtuar, Inzagi nuk mund të përballojë një numër të madh ndeshjesh, ndërsa Xhilardino ngjan gjithnjë e më shumë si një lojtar i dështuar. Pas ndeshjes me Arsenalin është vënë re se edhe mesfusha ka nevojë për alternativa cilësore, ndaj Galiani po sheh gjithnjë e më shumë drejt Anglisë. Objektivi kryesor është bjellorusi Aleksandr Hleb, i aftë për të mbuluar si lojën në krahë, ashtu edhe në qendër të mesfushës, për t‘i dhënë më shumë mundësi pushimi Pirlos.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›