E Diel, 1 Nëntor 2026

FIFA, tolerancë zero për futbollistët e dhunshëm

FIFA nuk do t‘i tolerojë futbollistët e dhunshëm. Ky është propozimi që presidenti i këtij institucioni, Sep Blater, do të bëjë në mbledhjen e Bordit Ndërkombëtar që do të zhvillohet në Skoci. Blater e ka bërë deklaratën gjatë një interviste të dhënë për të përditshmen angleze "Times", duke pohuar se kushdo që do të "njolloset" me ndërhyrje të rrezikshme (ashtu si ka ndodhur afro dy javë më parë, ku sulmuesi i Arsenalit, Eduardo da Silva, rrezikonte të humbiste një këmbë), nuk do të luajë më futboll. "Në këto momente, ndërhyrjet e ashpra janë një nga temat më të rëndësishme në futboll, ka shpjeguar presidenti i FIFA-s. Të gjithë ata futbollistë që ndërhyjnë me qëllim, duhet të përjashtohen një herë e përgjithmonë nga fushat e lojës".

Një deklaratë shumë e ashpër, që të paktën për momentin duket se ka ndarë në dy pjesë publikun pranë sportit të top-këmbës. Gazeta londineze ka hapur menjëherë një sondazh në faqen e saj në internet, ku 50 për qind e atyre që kanë votuar janë shprehur kundër propozimit, ndërkohë që 49,1 për qind e kanë pranuar. Gjithsesi, Blater ka evidentuar edhe personat që janë përgjegjës për këto sjellje të turpshme në lojë: ose më saktësisht, trajnerët, me bashkëpunimin (të vullnetshëm apo jo) të gjyqtarëve. "Mekanizmi i kësaj sjelljeje në fushë është evident. Presioni ndaj trajnerëve është aq i madh, saqë ata i inkurajojnë futbollistët e tyre që të fitojnë me çdo mjet të mundshëm. Në komisionin e gjyqtarëve të FIFA-s kemi një ish-arbitër ndërkombëtar zviceran, i cili ka detyrën që të analizojë ndeshjet dhe të ndihmojë gjyqtarët në vendime. Ai tashmë ka mbledhur disa dhjetëra shembuj. Po ju citoj një prej tyre: gjatë një ndeshjeje të Kupës së Afrikës, një lojtar ka shënuar tre gola në pjesën e parë, ndërsa në 45 minutëshin e dytë, mbrojtësi kundërshtar për pak sa nuk e ka vrarë. Arsyeja? Gjatë pushimit ndërmjet pjesëve, trajneri i tij i kishte thënë: ‘Mos e lë të shënojë një tjetër gol‘". Ndërsa për gjyqtarët, kreu i FIFA-s ka thënë: "Janë të bindur se nëse ndeshja vazhdon për 20 minuta pa ndërprerje, atëherë ata janë arbitra të mirë, megjithatë nuk është kështu. Nëse është e nevojshme duhet të japin kartonë të verdhë ose të kuq edhe në 3-4 minutat e para të ndeshjes dhe pikërisht kjo është gjëja që do t‘u kërkojmë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›