E Diel, 1 Nëntor 2026

Murinjo, mes Realit dhe kthimit te Çelsi

Hoze Murinjo mund të jetë trajneri i ardhshëm i Realit të Madridit. Hipoteza e transferimit të bujshëm të trajnerit portugez ka qarkulluar dje në të gjitha mediat spanjolle, të cilat janë të bindura se gjermani Shuster do të largohet nga madrilenët në fundin e këtij sezoni. "Marca" dhe "El Mundo Deportivo" kanë bërë të qartë se Kalderon dhe Mijatoviç kanë humbur besimin te trajneri i cili premtoi lojë të bukur dhe trofe, por skuadra që tani është jashtë Ligës së Kampioneve dhe rrezikon edhe kampionatin, ku diferenca me Barcelonën nuk është shumë e madhe. Sipas mediave spanjolle, Hoze Murinjo është kandidati më i përshtatshëm për këtë marrë drejtimin e këtij ekipi, ndonëse kohët e fundit është lakuar edhe emri i Karlo Ançelotit.

Vetë drejtuesit e Realit të Madridit kanë replikuar shumë shpejt, duke përgënjeshtruar gjithçka në faqen e internetit të klubit. "Informacioni i paraqitur nga disa media rreth të ardhmes së Bernd Shuster është i pavërtetë dhe i gabuar. Klubi ka besim të plotë te z. Bernd Shuster, i cili nuk ka nevojë të sigurohet për një gjë të tillë. Është përgjegjësia e tifozëve të Real Madridit për të gjykuar sjelljen e shtypit që publikon gënjeshtra të kësaj natyre, qëllimi i të cilave është vetëm të prishin harmoninë dhe të sjellin frymën e mosmarrëveshjes, e cila nuk përfaqëson realitetin aktual në skuadër", shkruhej në deklaratën e bërë nga klubi madrilen.

Por nëse në Spanjë të gjithë lakojnë emrin e Murinjos, ky i fundit duket se vazhdon të jetë shumë i lidhur me skuadrën e Çelsit, duke mos refuzuar hipotezën e kthimit përsëri në Londër. Në një intervistë për "The Sun", Murinjo ka bërë të qartë se do të pranonte të kthehej te kjo skuadër, edhe pse u largua mes polemikave. "Po, pse jo. Do të dëshiroja shumë që ta bëja një gjë të tillë. Javën e kaluar po flisja me Roman Abramoviç dhe me Piter Kenion, me të cilët jam në kontakt të vazhdueshëm. Ne kemi marrëdhënie shumë të mira dhe e vërteta është se kontrata mes nesh është ndërprerë me marrëveshje. A mund të kthehem një ditë te Çelsi? Pse jo! Unë mendoj se kjo skuadër është pjesë e jetës sime. Do ta kisha të pamundur të kthehesha në Angli dhe të merrja drejtimin e një skuadre tjetër", u shpreh trajneri portugez.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›