Mançester Junajted, Ferguson nuk e mendon "pensionin"
Sër Aleks Ferguson ka refuzuar që të përcaktojë datën kur mund të largohet nga drejtimi i Mançester Junajted. Në një intervistë për një radio franceze, tekniku skocez kishte deklaruar pak kohë më parë se kjo mund të ndodhte në tre vitet e ardhshme. "Kam shumë pasion për lojën. Futbolli vazhdon të më bëjë të lumtur, ishin fjalët e tij. Megjithatë, jam 66 vjeç, mund të qëndroj edhe tre vjet e më pas ta mbyll karrierën". Gjithsesi, Ferguson ka ndryshuar qëndrim në konferencën për shtyp përpara sfidës me Portsmuth, duke thënë: "Deklarata ime ka qenë, se nëse gëzon shëndet të mirë dhe puna të pëlqen, kjo mund të zgjasë dy ose tre vjet. Megjithatë, nuk është se gjithçka duhet marrë si e mirëqenë. Largimi im nga drejtimi i Mançesterit mund të ndodhë pas katër vjetësh, por mund të ndodhë edhe nesër. Është e pamundur që të përcaktosh një datë të saktë për gjëra të tilla". Ferguson është tekniku më i dekoruar në Britaninë e Madhe. Nëse do të vendosë të largohet në vitin 2011, ai do të ketë kaluar plotë 25 vjet në "Olld Traford", ndërkohë që deri më tani ka fituar 18 trofe me "Red Devils", pasi ka mbërritur aty në nëntor të vitit 1986 nga Aberden. Për herë të parë që prej vitit 1999, Junajted është në garë për fitimin e tre trofeve.