E Diel, 1 Nëntor 2026

Pollo: Ndryshimet në qeveri, të pafrytshme

Vazhdojnë "ethet" në kabinet për ndryshimin e qeverisë. Pas një heshtjeje të gjatë, reagon edhe ministri i Arsimit, i shënjestruar nga aleatët si "kurban" i Berishës në riformatimin që pritet t‘i bëhet kabinetit. Pas kreut të agrarëve, ngre zërin kundër lëvizjeve në kabinet edhe kreu i demokratë-reformatorëve, Genc Pollo, i cili kërkon nga Kryeministri Berisha të bëjë bilancin e punës dhe të nisë analizën, duke e filluar nga partia e tij për të vijuar më pas me aleatët. Tre ministrat Pollo, Ndoka dhe Xhuveli, që i përkasin partive aleate të PD-së, janë etiketuar nga disa prej deputetëve të Kuvendit si të paaftë dhe për këtë arsye, sipas tyre, duhet të japin dorëheqjen. Ministri i Arsimit, Genc Pollo, është ministri i fundit që deri dje kishte qëndruar në heshtje përballë "sulmit" të aleatëve për largimin e tij nga qeveria. Kryetari i PDR-së, deklaron që qeveria të bëjë bilancin e saj dhe vetëm pas kësaj të vendoset mënyra dhe koha e ndryshimeve në qeveri. Sipas ministrit të Arsimit, ndryshimet nuk janë një tabu, por përpara se të vihet gishti në poste të caktuara, demokratët duhet të nisin analizën nga vetja. "Gjithkush mund të pretendojë, gjithkush duhet të ketë parasysh balancën e nevojshme dhe balanca në një koalicion formohet nga shumë gjëra, por kryesisht nga vota që të jep populli, dhe jo nga marifete që bëjnë persona të veçantë. Në radhë të parë, para se të vijmë te kjo, është më tepër bilanci konkret i realizimit të përgjegjësive siç janë të ndara në këtë koalicion, ndoshta duke filluar nga partia më e madhe e tij", tha ai. Nga ana tjetër, ministri Pollo mohon zërat për një bashkim të mundshëm të PDR-së me PD-në. "Ne duhet të matemi jo mbi skemat e ndryshme midis partive që mund të jenë frytdhënëse deri diku, ose mund të jenë kundërproduktive, por do të matemi kryesisht me frytet e punës sonë, për aq sa mundëm të bëjmë në këto katër vjet, kjo është kryesorja", tha ai. Ministri i Arsimit nuk i mbështet propozimet e kolegëve të tij ministra për ndryshimin e koalicionit dhe qeverisë së djathtë. Sipas tij, koalicioni dhe qeveria ndahen te vota e shqiptarëve. "Riformatimin e koalicionit nuk e bëjnë drejtuesit e partive, por vota e elektoratit. T‘i rikthehesh në mënyrë periodike dhe pa pasur një bazë reale për debat, nuk më duket se është një kohë e përdorur mirë", tha ai. Nga ana tjetër, ministri Ndoka kërcënon se në rast së bëhen ndryshime në qeveri, partia Demokristiane do të kërkojë dy ministra për t‘u përfaqësuar në kabinet. Ndërsa ministri Xhuveli u shpreh se qeveria po funksionon në mënyrën më të mirë dhe se ndryshimet e kabinetit janë një e drejtë ekskluzive e Kryeministrit Berisha. Ndryshe nga tre ministrat Pollo, Ndoka dhe Xhuveli, aleatët e tjerë, por edhe deputetë të PD-së, kërkojnë me ngulm ndryshimin e qeverisë dhe një përfaqësim sa më të mirë të demokratëve përballë elektoratit për zgjedhjet parlamentare të 2009-ës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›