Xhafa: Gjyqtarët që abuzojnë, jashtë administratës
Sekretari për çështjet ligjore në PS ka deklaruar se përmirësimi i pushtetit gjyqësor duhet të fillojë nga organizimi dhe funksionimi i gjykatave në të gjitha nivelet. Në një prononcim për "Top Channel", ai ka theksuar se "ka një propozim dhe një diskutim për t‘i ndarë ato në dy nivele dhe vetë gjykatat e shkallës së parë. Në mënyrë që të lehtësojë procesin e gjykimit në shkallët e tjera, kjo ka të bëjë me Gjykatat e Apelit, e cila është një hallkë e rëndësishme e sistemit gjyqësor për mënyrën sesi janë të organizuar dhe të shpërndara sot, pasi krijojnë probleme". Sipas Xhafës, ato duhet të ishin hallka shumë të rëndësishme, të cilat do të parandalonin një pjesë të mirë të konflikteve, të cilat shkojnë në Gjykatën e Lartë. Sekretari për çështjet ligjore në PS, njëherësh dhe nënkryetar i Komisionit të Ligjeve, ka theksuar se kemi nevojë për një përbërje më cilësore të Gjykatës së Lartë, më profesionale dhe kjo do të thotë se duhet të ndryshojë shumë raporti në përbërjen e Gjykatës së Lartë në favor të njerëzve të karrierës. Ai ka theksuar se administrata gjyqësore sot është mjaft e dobët për shkak të mungesës së statusit, ndaj ai thekson se duhet të ndërhyhet si në përcaktimin e statusit, ashtu edhe të pagave, por edhe në kriteret e përzgjedhjes së gjyqtarëve. "Ai duhet të bëhet vetëm mbi bazën e shkollës së magjistraturës, duke ndarë përfundimisht gjyqësorin të mbaruar nga shkolla e plepave nga shkolla e magjistraturës, sepse ajo që ndodhi vite më parë, padyshim ka qenë një nga goditjet më të rënda që ka marrë pushteti gjyqësor", është shprehur Xhafa. Sipas tij, një aspekt tjetër i reformës në sistemin e drejtësisë, duke u bazuar te propozimet që kanë bërë socialistët në Komisionin e Ligjeve, është edhe karriera e gjyqtarëve dhe procedimi disiplinor. "Prokurorët apo gjyqtarët, hiqen nga gjyqësori, nga prokuroria, dhe më pas i sheh të punësuar në administratën e shtetit, kjo është gjëja më e pakuptimtë që ndodh. Duhet të përcaktohet saktë në ligj që kush largohet apo shkarkohet si gjyqtar, këta nuk duhet të kenë të drejtë të ushtrojmë më profesionin e juristit në administratën shtetërore", është shprehur Xhafa. Një tjetër çështje e rëndësishme është edhe reformimi i KLD-së dhe i Konferencës Gjyqësore. Për Xhafën, një pozitë e gabuar e konferencës gjyqësore ka zhvendosur KLD-në, pasi ky institucion shpeshherë është kthyer pjesë e lobingjeve dhe e politikës. "Duhet të forcohen kriteret, e atyre që bëhen anëtarë të KLD-së dhe duhet të shmanget çdo lloj konflikti dhe interesi e anëtarëve të KLD-së me detyrat që ushtrojnë dhe me karrierën e tyre dhe duhet të riformatohet mirë edhe pozicioni që politika dhe Kuvendi ka lidhur me përbërjen e KLD-së". Gjithashtu PS-ja ka bërë të ditur propozimet e saj edhe në lidhje me organin e prokurorisë. Duke nisur që nga mandati i Prokurorit të Përgjithshëm, i cili duhet të jetë sipas modeleve të tjera të institucioneve kushtetuese, riformatimi i Këshillit të Prokurorëve nga një organ konsultativ në vendimmarrje dhe ndarja e përgjegjësive mes prokurorisë dhe ekzekutivit në procesin e hetimit.