E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediu, kritika Kuvendit

Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka lëshuar kritika ndaj Kuvendit lidhur me dokumentet e miratuara në emër të anëtarësimit në NATO. Duke përshëndetur paktin kombëtar të propozuar nga socialistët, Mediu u shpreh se Kuvendi duhet të analizojë më në thellësi vendimet dhe jo të përqendrohet tek ngritja e kartonit.

Ministri Mediu thekson se muaji prill nuk është afati i fundit ku Shqipëria të ketë përfunduar reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore, por të gjitha përpjekjet për konsensus janë sinjalet që politika shqiptare duhet t‘i japë ndërkombëtarëve se ka një zë të përbashkët për anëtarësimin në NATO. "Nëse do të bëja një vërejtje, atëherë do t‘i referohem momentit që kaloi rezoluta në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo është një rezolutë që kaloi në një minutë dhe pa bërë një analizë. Kuvendi i Shqipërisë nuk konsiderohet si një institucion kolektiv, por si një institucion ku deputetët kanë individualitetin e tyre, pavarësisht se cilit grup politike i përkasin dhe për çështje të tilla të rëndësishme ata duhet të shprehen", tha ai. Sipas Mediut, në këtë mënyrë Kuvendi fiton vlerë kur miraton rezoluta të tilla, por fiton edhe më shumë vlerë nëse debaton në mënyrë pozitive për çështje që kanë në përmbajtje këto rezoluta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›