Hoxha: Të mos preken kompetencat e Presidentit
Anëtari i Komisionit të Ligjeve, Eris Hoxha, i është përgjigjur kërkesës së socialistëve për hartimin e një ligji organik për kompetencat e Presidentit të Republikës lidhur me dekretimin e gjyqtarëve. "Logjika e përjashtimit të Presidentit nga procesi i administrimit të pushtetit gjyqësor më duket si një tentativë për të krijuar një gjyqësor krejtësisht të pavarur dhe që rrezikon të krijojë një situatë të ngjashme me atë të institucionit të prokurorisë. Një pavarësi e tillë do të ishte një rrezik për prishjen e ekuilibrit të pushteteve dhe të parimit të kontrollit e baraspeshimit", tha deputeti Hoxha. Ai e ka cilësuar kërkesën e socialistit Fatmir Xhafaj si një argument të pabazuar në ndonjë teori kushtetuese.
Komisioni i Ligjeve ka filluar nga puna për shqyrtimin e projektligjit "Për organizimin e pushtetit gjyqësor". Si e konsideroni reformën në drejtësi dhe punën e këtij komisioni?
Në radhë të parë duhet të ndaj pak gjërat. Ligji që po shqyrton komisioni ku unë jam anëtar ka gati 2 vjet që ka ardhur në Kuvend. Është një nga ligjet kryesore për sa i përket sistemit të drejtësisë në Shqipëri, por në asnjë çast nuk mund të konsiderohet si vetë reforma e gjithë sistemit të drejtësisë. Duke e parë në këtë këndvështrim, mund të them se diskutimi i këtij projekti të qeverisë në komision, ku çdo nen po kalon me unanimitet midis shumicës dhe pakicës parlamentare, është një risi pozitive që përligj frymën disi ndryshe të politikës shqiptare në këtë fillim të vitit. Është shumë e rëndësishme në mendimin tim, që kjo frymë bashkëpunimi të mund të vazhdojë përtej këtij projektligji e përtej Samitit të NATO-s në prill. Në fund, të gjitha ato reforma janë të rëndësishme për zhvillimin e shoqërisë shqiptare drejt një demokracie funksionale e një shteti ligjor që garanton liritë themelore për të gjithë njësoj, pavarësisht nëse marrim apo jo ftesën për t‘u anëtarësuar qoftë në NATO, qoftë në BE. Të paragjykosh punën e komisionit, siç lexoj këto ditë në media, më duket jo vetëm një mungesë e theksuar serioziteti, por mbi të gjitha një mungesë respekti ndaj punës së kolegëve. Në qoftë se ndonjë deputet i këtij Kuvendi mendon se ka çfarë të kontribuojë në përmirësimin e këtij projektligji, fare mirë mund të vijë gjatë seancave të komisionit dhe të paraqesë atje mendimet e tij. Retorikat boshe nuk ofrojnë asgjë konstruktivë, por veçse dëmtojnë këtë proces.
Cilat janë pikat që do të ndryshohen në këtë projektligj?
Në krahasim me projektin e paraqitur nga qeveria ndryshimet kryesore kanë të bëjnë me rritjen e kompetencave të kancelarit të gjykatës, si dhe përcaktimin më të qartë të rregullave të promovimit të gjyqtarëve. Gjithashtu ka një përcaktim më të qartë të rregullave në lëvizjen dhe disiplinim e gjyqtarëve. Rezultati i synuar është një gjyqësor më i pavarur, më transparent dhe më i përgjegjshëm.
Opozita ka kërkuar që të përcaktohen me ligj kompetencat e Presidentit për emërimin e gjyqtarëve për shkak se institucioni i Presidentit është i vetmi që nuk ka një ligj organik. Cili është qëndrimi i mazhorancës?
Ky më duket një argument i pabazuar në ndonjë teori kushtetuese. Logjika e përjashtimit të Presidentit të Republikës nga procesi i administrimit të pushtetit gjyqësor më duket si një tentativë për të krijuar një gjyqësor krejtësisht të pavarur dhe që rrezikon të krijojë një situatë të ngjashme me atë të institucionit të Prokurorisë. Një pavarësi e tillë do të ishte një rrezik për prishjen e ekuilibrit të pushteteve dhe të parimit të kontrollit e baraspeshimit (check and balance). Për më tepër, kur flasim për pavarësinë e gjyqësorit, ne flasim për pavarësi në gjykim-dhënie e jo në administrim të drejtësisë. Administrimi në radhë të parë ka të bëjë me shërbimin ndaj qytetarëve, e si i tillë, influenca e pushteteve të tjera jo vetëm që nuk është e dëmshme, por është e domosdoshme. Të mos harrojmë se qoftë Presidenti, qoftë Kuvendi, apo edhe Ekzekutivi, kanë një mandat të limituar dhe një herë në disa vite (4 apo 5) paraqiten para qytetarëve për të rinovuar besimin. E kundërta ndodh me gjyqësorin ku gjyqtarët pasi emërohen vazhdojnë deri në daljen e tyre në pension.
Aleatët, por edhe deputetë të PD-së, kërkojnë me ngulm ndryshimin e kabinetit qeveritar pas Samitit të Bukureshtit. A mendoni se qeveria duhet të ndryshojë dhe Kryeministri Berisha duhet t‘i paraqitet elektoratit në 2009-ën me një qeveri të re?
Zgjedhjet e 2009-ës, për mendimin tim, duhet të na gjejnë me një përqindje të lartë të realizimit të programit tonë qeverisës. Ne si forcë politike, jemi duke instaluar një sistem qeverisës ku suksesi matet me realizimin e programit dhe premtimeve të bëra nëpërmjet reformave. Në këtë prizëm, fytyrat e kabinetit kanë një rëndësi të dorës së dytë, ose më mirë kanë një rëndësi relative.
Zgjedhjet sipas parimit "një anëtar një votë" do të nisin reformën në Partinë Demokratike. Në riorganizimin e posteve në sekretariatet e partisë, cila është ambicia juaj?
Nëse nuk gabohem, statuti i PD-së, parimin "një anëtar një votë" e aplikon vetëm për postin e kryetarit të degës së PD-së, e si i tillë nuk kam ndonjë ambicie të konkurroj për postin e kryetarit të ndonjë degë të Partisë Demokratike. Për sa i përket debatit të një riorganizimi më të përgjithshëm të vetë forcës politike, ky është një proces që sapo ka filluar dhe ka disa ide alternative, ku kryesoret kanë të bëjnë me ndarjen e posteve në parti nga ato në Ekzekutiv, apo me një riorganizim të vetë sekretariatit të PD-së, i cili duhet t‘i përgjigjet më mirë sfidave të një force politike në pushtet. Në të njëjtën kohë ka pasur dhe shpallje të drejtpërdrejta publike të kandidaturave për poste kryesore në organikën e partisë. Ajo që është më e rëndësishme është fakti se Partia Demokratike, si një nga partitë më të mëdha në vend, e simbol i demokracisë, të stimulojë sa më shumë debatin e brendshëm.