FSHF-ja i mbyll derën ministrive: Të rishikojnë auditimin
Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së i ka kërkuar Ministrisë së Financave dhe MTKRS-së të ndryshojë programin e saj të auditimit, pasi është në kundërshtim me ligjet shqiptare. Në mbledhjen e zhvilluar dje në FSHF, Ekzekutivi shqyrtoi interpretimin ligjor të referuar nga studio "Haxhia & Hajdari", konsulenti i këtij institucioni, duke vendosur që të refuzojë auditimin sipas kushteve aktuale. "Ekzekutivi ka vendosur t‘i kërkojë Ministrisë së Financave dhe MTKRS-së rishikimin e vendimit në lidhje me programin e auditimit të veprimtarisë ekonomiko-financiare të Federatës Shqiptare të Futbollit", shkruhet në deklaratën për shtyp të bërë nga Institucioni i Futbollit. "Kjo sjellje e Ministrive, të cilat kërkojnë të shtojnë nivelin e tensionit në marrëdhëniet me FSHF-në, tregon se për ta është e pamundur të kuptojnë se FSHF-ja është një subjekt i së drejtës private, një shoqatë e krijuar si bashkim i vullneteve të anëtarëve të saj dhe jo në sajë të shprehjes së vullnetit të ndonjë subjekti publik", vijon deklarata për shtyp e FSHF-së. Në të, është bërë e ditur se pritet çdo sinjal bashkëpunimi nga instancat shtetërore, duke kërkuar që të zgjidhë këtë situatë të komplikuar që ka filluar dy vite më parë. Ndërkohë, studioja ligjore, ka bërë të ditur se tematika e auditimit të FSHF-së nuk përputhet me ligjet, ashtu si dy vite më parë, kur Institucioni i Futbollit refuzoi kontrollin shtetëror, duke hapur një debat që ende nuk ka gjetur zgjidhje. Sipas saj, Ligji nr. 9720, datë 23.04.2007, "Për auditimin e brendshëm në sektorin publik", nuk e përfshin FSHF-në dhe kjo e fundit nuk duhet t‘i nënshtrohet kontrollit. Për më tepër, studioja ligjore ka saktësuar se edhe tematika e auditimit është tendencioze, pasi grupi i punës ka marrë mbi vete edhe detyra që kryhen ekskluzivisht nga Drejtoria e Tatimeve, apo vazhdimin e insistimit për të zbatuar VKM 309, datë 05.06.1995, që nuk ka fuqi ligjore. Interpretimi ligjor u është dërguar si FIFA-s, ashtu edhe UEFA-s, të cilat pritet të sjellin përsëri një reagim rreth problemeve të shtetit shqiptar me FSHF-në. Megjithatë, është bërë e ditur se grupi auditues do të kërkojë të hënën nisjen e kontrollit në FSHF, ndonëse kjo e fundit e ka bërë të qartë qëndrimin e saj.