Fabio Kanavaro: Interi sot, si Juventusi në të kaluarën
"Interi i sotëm është si Juventusi i djeshëm". Ky është thelbi i fjalëve të Fabio Kanavaros, mbrojtësit të Realit të Madridit dhe kapitenit të kombëtares italiane, të publikuara në gazetën "Il Messaggero" rreth problemeve me gjyqtarët në Serinë A. Nuk është një akuzë, por vetëm konstatimi i njërit prej lojtarëve më autoritarë përtej Adriatikut.
Kanavaro, tashmë, të gjithë në Itali e kanë inatin me Interin. I akuzojnë se janë hajdutë, ashtu sikurse bënin dikur me ju të Juventusit. E mbani mend, apo jo?
Sigurisht. Kur fiton bëhesh antipatik. Për më tepër që kemi edhe gabimet e gjyqtarëve: kishte në të kaluarën dhe do të ketë gjithmonë. Arbitrat nuk janë jashtëtokësorë. Por, nëse me gabimet e tyre ndihmojnë Interin që kryeson kampionatin, atëherë polemikat shpërthejnë vetvetiu.
Me fjalë të tjera nuk habiteni nga kjo situatë... edhe pse ka nga ata që pretendojnë se kampionati është trukuar.
Jo, jo. Në të gjithë botën kështu ndodh. Edhe në Spanjë ka polemika rreth gjyqtarëve. Gabime, vendime që avantazhojnë disa skuadra dhe i prishin punë disa të tjerave, këto gjëra i kam përjetuar edhe në ekipin kombëtar. Si mendoni se u eliminuam nga Botërori 2002 në Kore dhe Japoni? Nga gjyqtari Moreno. Po ndeshjen në Gllasgou me Skocinë, pak muaj më parë, e mbani mend? Goli i tyre u shënua nga pozicion i dukshëm jashtë loje. Rrezikuam që të mos kualifikoheshim në Evropian.
Kthehemi tek Interi.
E kuptova. Për fat të keq dyshimet te njerëzit dhe ekipet kundërshtare lindin. Ndërsa lojtarët e Interit nuk ndihen se po ndihmohen. Ata janë shumë të fortë dhe fitojnë në fushë. Pas asaj që ndodhi me Juventusin, me ato bisedat jashtë fushave, tashmë ka nga ata që dyshojnë tek Interi. Këto janë pasojat e "Calciopolit".
E keni përsëritur gjithmonë se dy titujt që i kanë hequr Juventusit i ndjeni akoma të tuajt.
Është e vërtetë. Ky është arsyetimi që bëjnë edhe sot lojtarët e Interit: ne kemi dalët të parët, sepse jemi më të fortët. Përgjimet e telefonatave nuk na interesojnë shumë.
A mendoni se situata nuk ka ndryshuar, me përgjime telefonatash dhe gjithçka tjetër si në periudhën e skandalit?
Jo. Shpresoj që të kenë përfunduar me kaq. As që dua ta mendoj diçka të tillë. Kolina po rindërton imazhin e sektorit të gjyqtarëve.
Megjithatë, në pesë ndeshjet e fundit Interi është favorizuar në katër raste. Si ta cilësojmë këtë?
Janë bërë gabime të rëndësishme dhe që kanë ndikuar. Ato i heqin shpresat skuadrave që e ndjekin në klasifikim, si për shembull Romës, e cila po zhvillon një kampionat të shkëlqyer. Interi është një skuadër e fortë, e nëse e ndihmojnë...
Pikërisht Roma, të shtunën në mbrëmje, do të luajë në Torino kundër ish-skuadrës tuaj (Juventusit). Duhet të presim akuzat e katër viteve më parë?
Jo. Ai tension nuk do të ekzistojë. Ende e mbaj mend herën e parë që luajta në "Olimpiko" në vitin e parë kur Kapelo u bë trajner i Juventusit. Kur rezultati ishte 2-1 në fushë kishte vetëm shkelma. Shënova në pozicion jashtë loje... Tashmë ekziston vetëm rivaliteti i vjetër dhe asgjë më shumë. Ndërsa atë natë mendohej rreth "arratisjes" së Kapelos dhe Emersonit. Lojtarët do të luajnë me profesionalizëm, edhe pse te tifozët mund të hasen inatet e vjetra.