Katalanasit synojnë Murinjon ose Venger
Frenk Rajkard duket se nuk do të çojë deri në fund kontratën e tij me Barcelonën, pasi katalanasit nuk e dëshirojnë më trajnerin holandez. Edhe mediat spanjolle e kanë publikuar dje si lajm të sigurtë "lamtumirën" e tij në fund të edicionit, duke filluar kërkimin për atë që do ta zëvendësojë në stolin e katalanasve. Sipas spanjollëve, largimi është thuajse i sigurt, pasi ekipi nuk është shfaqur në nivelin e kërkuar pavarësisht investimeve të rëndësishme të bërë nga presidenca e Barcelonës. Vetëm një triumf në Ligën e Kampioneve mund të shpëtojë holandezin, por ekspertët spanjollë janë thuajse të sigurtë se Barcelona e këtij edicioni nuk ka forcën e duhur për të arritur këtë objektiv të rëndësishëm.
Të gjithë janë të bindur se për të rikthyer lojën spektakolare dhe rezultatet që i mungojnë Barcelonës që në vitin 2006, duhet një ndryshim në pankinë. Për këtë arsye, gazeta katalanase "El Mundo Deportivo", ka organizuar një sondazh me tifozerinë, duke i kërkuar që të përzgjedhë trajnerin e ardhshëm të Barcelonës, ku kandidaturat më të pëlqyera kanë qenë Arsen Venger dhe Hoze Murinjo. Sipas burimeve të kësaj gazete, francezi i Arsenalit është alternativa më e pëlqyer nga drejtuesit katalanas, pasi ka treguar vazhdimisht se bën një punë të shkëlqyer me rritjen e talenteve të reja. Meqenëse Barcelona ka lojtarë si Mesi, Xhovani dhe Krkiç, ai cilësohet trajneri i duhur për të garantuar rritjen e mëtejshme të këtyre talenteve. Por sondazhi i tifozerisë ka nxjerrë si përfundim një rezultat të paparashikuar. I preferuari i katalanasve është Hoze Murinjo, "armiku i vjetër", i cili mbërriti te Barcelona si asistent i Bobi Robson dhe pastaj u kthye aty si trajner i Çelsit, duke mos kursyer polemika ndaj Barcelonës, gjë për të cilën mori edhe nofkën "tradhtari". Por gjithçka ka ndryshuar brenda pak kohësh, pasi edhe gazeta "Marca" ka publikuar dje hipotezën e afrimit të portugezit. Sipas saj, Murinjo është kontaktuar gjatë ndeshjeve të Kupës së Afrikës nga Çiki Begirishtajn, pas një takimi që ky i fundit ka pasur me menaxherin e trajnerit. Kjo e bën më se të realizueshme hipotezën e kalimit të Murinjos në Spanjë, kampionati që ai ëndërron që prej periudhës kur u largua nga Çelsi.