Familjarët: Djali i vetëvarur ikte jashtë shtetit ilegalisht
I vetëvaruri i disa ditëve më parë në Mallakastër ishte riatdhesuar kohë më parë nga Anglia. Kishte synim sërish atë shtet, duke kaluar nëpërmjet Greqisë, tek e cila kishte tentuar të ikte shpesh herë nëpërmjet malit. Ky është motivi që serviret nga familja Serjani, ku një ditë më parë djali i tyre ndërmori vendimin për t‘u vetësakrifikuar. Pikërisht te deklarata e të afërmve, edhe policia e Fierit ka nxjerrë si motiv zyrtar atë të gjendjes depresive, ku i riu 20-vjeçar kishte rënë pas pamundësisë për të ikur emigrant ilegal drejt Greqisë, nga ku do të gjente mundësi për t‘u rikthyer në Angli.
Hetimet për të gjetur një motiv përfundimtar për vdekjen e 20- vjeçarit Klodian Nuredin Serjani kanë vijuar edhe gjatë ditës së djeshme. Policia, pas marrjes në pyetje të familjarëve të 20-vjeçarit Klodian Serjani, gjatë paradites së djeshme ka pyetur shokë dhe miq bashkëmoshatarë të tij, me të cilët 20-vjeçari përgatiste edhe planin për t‘u larguar në Greqi dhe më pas në Angli. Sipas burimeve policore mësohet se vitin e kaluar Klodian Serjani është riatdhesuar nga Anglia, pasi ka rezultuar me dokumente jo të rregullta. Menjëherë pasi ka mbërritur në fshatin Drenovë, fushë të rrethit Mallakastër, ai ka ndërtuar planet e rrugës që do të ndiqte për t‘u rikthyer sërish atje. Mësohet prej familjarëve se ai ka tentuar vetëm pak ditë pas kthimit nga Anglia më shumë se 5 herë që të emigronte në Greqi. "Gjithmonë ka ndjekur rrugën e malit, duke kaluar kufirin në rrugë ilegale. Nuk kishte më fat dhe për këtë nisi të shprehte shenja të theksuara depresioni. Ndërkohë që thoshte do iki prej këtej", ka thënë për grupin hetimor nëna e 20-vjeçarit.
Po sipas burimeve nga grupi i hetimit konfirmohet se pas kalimit të festave të fundvitit, Klodian Serjani, së bashku me disa të rinj të tjerë, ka marrë udhën për në Greqi. Është rikapur sërish nga policia greke. Kjo e shtyu të riun që ikja nga vendi t‘i kthehet në makth, duke e shtyrë deri në vetëvrasje. Pasditen e së shtunës, rreth orës 17:00, ai merr litarin e lopës dhe me të varet në haurin e bagëtive. Atje e ka gjetur e ëma, e cila e alarmuar ka kërkuar ndihmë nga fqinjët që ka të afërt. 20-vjeçari kishte vdekur, ndërsa të afërmit mundoheshin t‘i jepnin ndihmën e shpejtë. Si shkak i terrenit të thyer për në fshatin e tij, policia ka shkuar me rreth 40 minuta vonesë pranë vendit të ngjarjes. Klodian Serjani ishte djali i dytë mes tre vëllezërve një më i vogël në moshë dhe një tjetër më i madh, i cili ndodhej gjithashtu në Angli. Vetëvrasja e 20-vjeçarit shënon rastin e dytë për nga motivi i aktit, pasi në muajin gusht të vitit 2007 një 28-vjeçar nga Roskoveci vetëvritet me çiften e të atit vetëm se nuk mundi të siguronte dokumente për t‘u bashkuar me familjen e tij në Itali.