Ndotet bregdeti i Semanit me pula të ngordhura
Prej disa ditësh, bregdeti i Semanit është ndotur me shpendë të ngordhura. Asnjë nga autoritetet e pushtetit vendor e qendror nuk jep shpjegim për këtë situatë, ndërkohë që paniku ka përfshirë peshkatarët dhe komunitetin, si shkak i vendimit për eliminimin e shpendëve, duke i hedhur në rrjedhë lumi, që më pas t‘i merrte rrjedha e detit. Në Drejtorinë e Bujqësisë Fier nuk pranohet mundësia e çdo lloj epidemie që mund të ekzistojë te shpendët, ndërsa është hedhur ideja prej komunës që të ruhet e gjithë vija bregdetare, si dhe ajo e lumit që derdhet në Seman.
Qindra pula fushe të ngordhura, të mbarështuara në ferma që merren me këtë biznes, kanë ndotur bregdetin e Semanit në rrethin Fier. "Prej dy ditësh, sipas peshkatarëve që gjuajnë në grykëderdhje të lumit Seman, në këtë zonë ujërat e këtij lumi kanë derdhur në det sasinë e pulave të ngordhura". Hapësira e ndotur në vijë bregdetare shkon në më shumë se 2 km. Pulat janë përhapur gjatë gjithë vijës bregdetare. Mendohet që pulat e ngordhura janë hedhur përgjatë lumit Seman nga njerëz të paidentifikuar, të cilët merren me mbarështim të këtij lloj shpendi për tregti mishi. Askush nuk e di llojin e sëmundjes që ka shkaktuar ngordhjen e tyre. Madje, ka mungesë të plotë informacioni për gjendjen e krijuar. Nga ana tjetër nuk ekziston asnjë lloj informacioni në lidhje me rrezikun që mbartin këto shpendë të ngordhura. Kjo pasi nuk dihet dhe lloji e sëmundjes që ka sjellë edhe ngordhjen në masë të tyre. Peshkatarët janë shprehur se kjo ngjarje nuk është e para në këtë zonë. Prej disa kohësh, sipas tyre, duke qenë që grykëderdhja e lumit Seman shtrihet disa km larg rrugëve që përshkohen nga këmbësorë dhe vizitorë, ajo është kthyer në një fushë disa hektarë të grumbullimit të shpendëve të ngordhura, mbetjeve të ndryshme hidrokarburesh deri dhe mbetje urbane të qytetit dhe fshatrave ku kalon lumi Seman. Në Komunën e Topjës, e cila ka në juridiksionin e saj edhe vijën bregdetare, që prej ditësh është ndotur me pula të ngordhura, kryetari Sotiraq Zarka është shprehur se është një situatë e pakontrollueshme. "Unë gjithmonë jam treguar i gatshëm për të ngritur një grup pune që të ruajë dhe kontrollojë ditë për ditë vijën bregdetare, si dhe atë të grykëderdhjes së lumit të Semanit. Deri tani nuk është kryer një fakt i tillë, ndërsa i kemi kushtuar vëmendje vetëm në ditët e sezonit veror. Përballë një situate të tillë, mjaft rënduese për nga ndotja e shkaktuar, si dhe epidemia që mund të ekzistojë, shpreh gatishmërinë si pushtet vendor që të ndërhyhet menjëherë".