Vetëflijohet nëna shtatzënë, helmohet dhe bashkëshorti
Burrë e grua vendosin t‘i japin fund jetës duke pirë helm, por tragjedia e dyfishtë mbyllet vetëm me vdekjen e gruas. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Vishocicë të Devollit, kur nga çifti Rusi ka mundur të mbijetojë pas ndërhyrjes mjekësore vetëm burri. Një krizë familjare që duket se kishte përçarë prej vitesh dy bashkëshortët, ka bërë që një natë më parë, Afërdita Rusi, nënë e tre fëmijëve, t‘i japë fund jetës në mënyrë tragjike. Ajo ka pirë pesticidin që shërbente për vreshtat, dhe menjëherë pas saj me të është bashkuar edhe burri, Guri Rusi. Në vendngjarje ka shkuar një grup hetimor, por motivi që ka çuar në këtë tragjedi është mbuluar me mister. Sipas policisë, 32-vjeçarja ka qenë shtatzënë, por nuk dihet në rast se shtatzënia e saj është bërë shkak për t‘i dhënë fund jetës nëpërmjet helmimit. Burrë e grua kanë vendosur të vdesin në dhomën e tyre të gjumit. Edhe pse ngjarja ka ndodhur gjatë natës, ka qenë djali i familjes që i ka gjetur prindërit të shtrirë në dhomë, ndërsa nga goja nxirrnin shkumë të bardhë. Pasi ka dëgjuar zhurma, fëmija 12-vjeçar, Ergers Rusi, ka hyrë në dhomën e gjumit të prindërve dhe i ka gjetur në gjendje kritike. Sipas policisë, ngjarja mendohet se ka ndodhur në orën 21, por të dy bashkëshortët janë gjetur më vonë, ndërsa vetëm në mesnatë ata i janë nënshtruar edhe ndërhyrjes së parë mjekësore në qytetin e Bilishtit. Gruaja 32-vjeçare nuk ka mundur të mbijetojë pasi ka pirë helmin e fortë. Kanë qenë banorë të fshatit që kanë ndërhyrë për të çuar në spital çiftin e helmuar. Gruaja ka ndërruar jetë, ndërsa është sjellë me urgjencë drejt spitalit civil të Korçës bashkë me burrin e saj, i cili më pas është përmirësuar nga mjekimet intensive. Ndërkohë, sipas policisë, 32-vjeçarja kishte ndërruar jetë. Kjo ka bërë që trupi i saj të çohet në morgun e qytetit të Korçës, ku i është nënshtruar edhe ekspertizës mjekoligjore. Kjo e fundit ka përcaktuar jo vetëm shkakun e vdekjes nga helmi, por edhe ka konstatuar se gruaja 32-vjeçare kishte qenë shtatzënë. Nga ana tjetër, pas 24 orëve Guri Rusi ka dalë nga gjendja kritike për jetën, ndërsa po mbahet nën mbikëqyrjen e mjekëve edhe në reanimacion. Grupi hetimor pret të zbardhë të vërtetën mbi këtë ngjarje të rëndë vetëm nëpërmjet 46-vjeçarit, i cili pritet të merret në pyetje për ngjarjen dhe rrethanat e vërteta në të cilat ka ndodhur kjo tragjedi. Të afërmit e tyre janë tronditur kur të vënë para faktit se 32-vjeçarja ka qenë shtatzënë ju është dashur të përballojnë një tragjedi të dyfishtë. Në familjen e çiftit ka rënë zia. Asnjë nga të afërmit e të dyja palëve nuk ka pranuar të tregojë për marrëdhëniet mes tyre, apo të flasë për atë që ka ndodhur në shtëpinë e familjes Rusi. Ndërsa kanë qenë në pritje për të marrë trupin e pajetë të gruas nga morgu me një arkivol të vendosur te dera e shtëpisë, të afërmit kanë mbledhur fëmijët, ndërsa nuk kanë lejuar askënd të hyjë në banesë pa përfunduar më parë grupi hetimor. Vetëm bashkëfshatarë të paktë dhe të njohur të familjes kanë qenë jashtë banesës së çiftit për të kryer edhe ritet mortore para se gruaja të përcillet për në banesën e fundit. Tragjedia i ka tronditur të gjithë, por asnjë në fshat nuk tregon mbi këtë ngjarje, apo motivin që mund të ketë çuar në helmimin e gruas e më pas të bashkëshortit të saj. Nga ana e policisë dhe grupit hetimor po kryhen hetime lidhur me këtë rast. Nga burimet policore mësohet se natën e krimit dy bashkëshortët kanë pasur një sherr, por pritet që 46-vjeçari Guri Rusi të japë sqarime të mëtejshme lidhur me rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë, pas shërimit të tij. Sipas uniformave blu, 32-vjeçarja nënë e tre fëmijëve kishte kaluar më parë një gjendje depresive. Të dy trupat janë gjetur në dhomën e gjumit, ndërsa sipas policisë mendohet se e para e ka pirë helmin gruaja, dhe më pas në një gjendje pendese 46-vjeçari mund të ketë tentuar edhe ai t‘i japë fund jetës, duke pirë nga i njëjti helm. Ka mbijetuar vetëm burri, i cili kishte pirë doza më të pakta nga pesticidet që do t‘i merrnin përfundimisht jetën. Policia nuk e ka përjashtuar as mundësinë që burri të jetë futur në dhomë, pasi gruaja ka tentuar e para vetëvrasjen, dhe ndërsa e ka parë të shtrirë e të helmuar, ka vendosur të vetëflijohet bashkë me të.