Zona e plazhit "mbytet" nga plehrat
Zona e plazhit pranë ish-lokalit "Aulona", në afërsi të zonës së Skelës, prej ditësh është pushtuar nga sasi të konsiderueshme mbeturinash të ndryshme. Shumica e tyre janë mbeturina që qytetarët e pandërgjegjshëm i hedhin vend dhe pa vend dhe pjesa tjetër që dalin nga deti. Mbeturinat që mbizotërojnë janë bidonë, qeska të ndryshme plastike dhe letre, goma makine, barishte, si dhe mbeturina të tjera të ndryshme. Sipas qytetarëve që pushojnë në këtë zonë në çdo orë të ditës, mbeturinat nuk janë hequr prej ditësh nga ndërmarrja që e ka për detyrë, e cila varet nga Bashkia e Vlorës. Bashkia në këtë zonë ka bërë një lulishte si dhe disa stola për të pushuar qytetarët dhe kjo është një gjë e mirë shprehen qytetarët, por kjo zonë duhet të pastrohet vazhdimisht, sepse nuk mund të pushosh mes mbeturinave dhe plehrave të ndryshme, ku mund të marrësh infeksione të ndryshme. Sasia e mbeturinave që kanë dalë në breg nga dallgët e detit, të cilat janë të shumta, të lënë përshtypje se nuk është pastruar asnjëherë kjo zonë, e cila është jo më shumë se 100 metra gjatësi në formën e gjirit. Sipas burimeve nga Bashkia e Vlorës dhe nënkryetarit të bashkisë, Halim Dervishaj, është e vërtetë që kjo zonë është pushtuar nga mbeturinat e shumta, të cilat dalin si rezultat i dallgëve të detit, por dhe si rezultat i hedhjes së mbeturinave të ndryshme nga vetë banorët përreth, të cilët janë të papërgjegjshëm. "Plehrat në këtë zonë janë pastruar vazhdimisht, por që prej pak kohësh janë lënë pa pastruar me qëllim që të grumbullohen sasira të mëdha e më pas të punohet për largimin e tyre, sepse pastrimi i përditshëm i shkakton bashkisë një kosto të madhe financiare".