Shpërthen granata në shtëpi, plagosen tri vetë
Shpërthimi i një granate në qytetin e Fierit, me pasojë plagosjen e tri personave nga e njëjta familje, ka vënë në pranga kryefamiljarin 35-vjeçar, në banesën e të cilit policia gjeti pas kontrollit të ushtruar një sasi të konsiderueshme municioni.
Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 të ditës së djeshme, përpara banesës së familjes Cini, në lagjen "16 prilli", në hyrjen kryesore të stadiumit "Loni Papuciu", në qytetin e Fierit. Sipas policisë, që shkoi në vendngjarje, shpërthimi u shënua në momentin kur e zonja e shtëpisë, Edlira Cini, tentoi të zhvendosë në një vend tjetër mjetin luftarak. Si pasojë e shpërthimit u plagos Edlira Cini, bashkëshorti i saj, Juliani dhe fëmija i tyre i mitur katërvjeçar, Katerina Cini. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, mësohet se shpërthimi i bombës artizanale ka ndodhur pak minuta pasi ora shënoi 22:00 në mbrëmjen e së shtunës. Çifti i bashkëshortëve Julian dhe Edlira Cini, së bashku me vajzën e tyre katërvjeçare, Katerina, sapo mbyllën lokalin trekatësh që e kanë pranë shtëpisë, ju drejtuan automjetit të tyre furgon dhe gruaja ka lwvizur granatwn dhe në atë moment ka ndodhur shpërthimi. Burimet e policisë lokale thanë se "në banesën e 35-vjeçarit Cini u gjet një granatë ofensive, 1 ndezës granate, 1 karikator automatiku model 56, 32 copë fishekë të kalibrit 7,62 mm, si dhe një sasi e vogël lënde narkotike e llojit kanabis sativa". Ndaj tij janë ngritur akuzat "prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit", si dhe "prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike".