E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet shoferi i kamionit, i armatosur deri në dhëmbë

Një grindje dhe kanosje me armë zjarri në mes të rrugës ka zbuluar një të ri durrsak që udhëtonte me arsenal armësh në automjet. Ngjarja ka ndodhur paraditen e së dielës në lagjen numër 18 të qytetit të Durrësit. Një informacion i përcjellë në sallën operative të policisë së qytetit dhe ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Komisariatit të Durrësit, bënë të mundur zbulimin e një arsenali armësh në këtë lagje dhe arrestimin në flagrancë të zotëruesit të tyre. Pas një konflikti të çastit për motive të dobëta me shtetasin A.T., i arrestuari Denis Kapedani e ka kanosur me armë zjarri këtë të fundit. Gjithçka ka nisur nga bllokimi i rrugës, ndërsa Kapedani po lëvizte me një kamion "Mercedes Benz". Zënia e rrugës me makinë nga një tjetër qytetar e ka nervozuar 24-vjeçarin Kapedani me banim në Spitallë të Durrësit, i cili ka arritur të nxjerrë një nga armët e zjarrit që mbante në makinë dhe të kanosë me jetë drejtuesin e mjetit tjetër. "I forti" ka përfunduar më pas në polici me disa akuza të ngritura ndaj tij, për të cilat duhet të përballet me organin e drejtësisë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:00, kur policia ka marrë dhe njoftim për një kanosje me armë zjarri. Gjatë kontrollit të ushtruar në kabinën e automjetit tip kamion me targa DR 2454 E, i cili drejtohej nga shtetasi Denis Kapedani, u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale një automatik model 56 me 100 copë fishekë, një pistoletë model 54 me 8 copë fishekë, si dhe një thikë, e cila përmbush kushtet për t‘u cilësuar armë e ftohtë. Katër orë më vonë, drejtuesi i kamionit u vu nën arrest. Ai akuzohet për veprat penale të kanosjes serioze për jetën, mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake, si dhe mbajtjes pa leje të armëve të ftohta. Ndërkaq, ky shtetas ka përfunduar edhe më parë në polici. Tre vjet më parë ai ishte vetëdorëzuar pas një grindjeje të çastit me një person në Shijak, ndaj mjetit të të cilit kishte qëlluar me armë zjarri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›