Familjarët e të burgosurve përplasen me policinë në spital
Shoqërimi në spitalin e Lushnjës i katër të dënuarve nga Burgu i Rrogozhinës dhe Kosovës ka shkaktuar përplasje mes policisë dhe familjarëve të të burgosurve. Policët e grupit të shoqërimit të të burgosurve, nuk e kanë përballuar dot fluksin e familjarëve, të cilët kanë çarë kordonin për të takuar të afërmit e tyre. Sipas informacioneve zyrtare të Komisariatit të Policisë së Lushnjës, dje rreth orës 13.15, janë sjellë pranë spitalit të qytetit katër të burgosur, nën mbikëqyrjen e 12 policëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Kur të burgosurit janë zbritur nga makinat, janë përballur me furinë e familjarëve të tyre. "Ka qenë i pamundur shoqërimi i të dënuarve për në ambientet e brendshme të spitalit. Shkak ka qenë kërkesa me forcë e familjarëve për t‘u takuar me ta", tha një oficer i policisë së Lushnjës. "Për një moment është dukur se situata u vu nën kontroll dhe u bë zbritja e dy prej të burgosurve. Por kur ata u futën në repartet e spitalit, një turmë e madhe njerëzish hyri me forcë në godinë. Policët e burgjeve janë munduar që të ndalojnë familjarët, por ka qenë shumë e vështirë", tha oficeri që nuk do të identifikohet. Është dashur ndërhyrja e policëve të rendit, të Komisariatit të Lushnjës, që situata të vihet nën kontroll pas rreth një ore. Gazmend Noga, shef i Komisariatit të Lushnjës, tha se "ndërhyrja e familjarëve ka qenë e paligjshme, por situata është vënë nën kontroll". Incidenti në spital konfirmohet edhe nga mjekët. Ndërkohë, nuk bëhen të ditur emrat e të burgosurve që janë dërguar dje në spitalin e Lushnjës, por mësohet nga burime jozyrtare, se të katërt kanë qenë persona të dënuar për vepra të rënda penale.