E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma, ligj të ri për gjykatat

Sot paradite, Komisioni Parlamentar i Ligjeve do të prekë një nga draftet që përbëjnë kolonën vertebrale të reformës në sistemin e drejtësisë. Pas konsensusit paraprak të mazhorancës dhe opozitës, është rënë dakord diskutimi i projektligjit që ndryshon ndërtimin e pushtetit gjyqësor në vend. Ndryshimet në këtë ligj kanë të bëjnë me organizimin dhe funksionimin e KLD-së, me organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe Kodit të Procedurës Penale dhe të Procedurës Civile. Ky projektligj sjell 14 pika të reja, realizmi i të cilave, sipas mazhorancës, do të sjellë dhe reformimin e sistemit gjyqësor. Për herë të parë do të krijohet Gjykata Administrative, e cila fillimisht është menduar të funksionojë në dy nivele në Tiranë si Gjykata e Shkallës së Parë dhe si Gjykata e Apelit. Është menduar shkrirja e gjykatave ushtarake, pasi nuk justifikonin ekzistencën e tyre si nga pikëpamja profesionale ashtu dhe ekonomie. Për herë të parë në ligj janë parashikuar detyrat që duhet të kryejnë kryetarët e gjykatave të shkallës së parë dhe të Apelit, si dhe afati kohor i qëndrimit të tyre në detyrë. Për shkak të rëndësisë që ka shorti në shpërndarjen e drejtë të punës në gjykata, por sidomos për shmangien sa më shumë të jetë e mundur të paragjykimeve për fenomene korruptive në përzgjedhjen e çështjeve për gjykim propozohet të unifikohet mënyra e ndarjes së çështjeve, mënyrë e cila do të caktohet me vendim të posaçëm të KLD-së. Në funksion të përmirësimit të problemeve të karrierës së gjyqtarëve për të shmangur edhe vështirësitë e deritanishme, janë bërë formulime që rregullojnë më mirë përcaktimin e kandidaturave sa më serioze për gjyqtarë të Apelit dhe gjyqtarë të Gjykatës së Krimeve të Rënda duke futur nocionin e qëndrimit në listë pritje për të qenë të gatshëm sapo të paraqitet nevoja pa u shkëputur nga funksioni i tyre. Një rregullim i ri i është bërë ligjit për mënyrën e emërimit të kryetarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të Apelit. Propozohet që kryetari të qëndrojë në këtë detyrë për 6 vjet pa të drejtë rizgjedhje të menjëhershme. Përmirësim bëhet në këtë projektligj edhe për rastet e delegimit të gjyqtarëve nga një gjykatë në një tjetër për rritjen efikasitetit të gjykimit, mënjanimit dhe zvarritjeve të proceseve. Ky projektligj plotëson një boshllëk për problemin e pagave duke vendosur në ligj, krahas pagës së gjyqtarëve të shkallës së parë edhe të Apelit edhe pagat e gjyqtarëve të gjykatave të Krimeve të Rënda. Për herë të parë është vendosur që gjyqtari i shkallës së parë pas një përvojë 10-vjeçare si gjyqtarë të përfitoje shtesë page në një masë të caktuar. Nisur nga aktet ndërkombëtare për pavarësinë e gjyqësorit është parashikuar edhe një masë tjetër disiplinore ndaj gjyqtarëve, që është heqja e çështjeve nga shqyrtimi i mëtejshëm. Një masë e tillë do të ndikonte pozitivisht në shmangien e faktorëve që bëhen shkak për korrupsionin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›