Nanaj: Jam përdorues kokaine
Ka mohuar të jetë shpërndarës droge, por nuk e ka bindur dot gjykatën që t‘i japë një masë të lehtë sigurie. Alfred Nanaj, njëri nga personat e dënuar shtatë vjet më parë si anëtar i grupit kriminal "Kokaina", është paraqitur sërish me pranga në duar dje në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet. Ai u arrestua katër ditë më parë, pas operacionit të koduar "Profesori 3" nga antidroga e policisë së Tiranës. Në seancën e shqyrtimit të masës së sigurisë, Nanaj, i mbrojtur me një avokat të caktuar kryesisht nga gjykata, ka deklaruar se është përdorues droge dhe në momentin që është arrestuar nga policia ka qenë duke e blerë lëndën narkotike. Në këtë mënyrë, ai ka tentuar të rrëzojë akuzën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, në bazë të së cilës policia ka shtrënguar prangat në kyçet e duarve të tij. Por, rrëfimi i 38-vjeçarit nga Tirana nuk duket se e ka bindur gjykatësen e gatshme. Pasi ka dëgjuar edhe prokurorin e çështjes, gjykatësja ka vendosur që të lërë në burg pa afat Alfred Nanajn.
Katër ditë më parë, policia e kryeqytetit lajmëroi arrestimin e një grupi që akuzohej për prodhim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike. Elvis Gjino dhe Elis Malaj që u arrestuan bashkë me Nanajn, dolën përpara gjykatës dy ditë më parë, duke marrë edhe ata masën e sigurisë burg pa afat. Sipas burimeve zyrtare të policisë, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 19.6 gramë pluhur i dyshuar si lëndë narkotike e llojit kokainë e ndarë dhe e ambalazhuar në 22 porcione, shuma e parave prej 39500 lekësh e përfituar si rezultat i shitjes së lëndës narkotike, si dhe dy telefona celularë.