Pakti PS-PD: Jo certifikata në zgjedhje
TIRANË- Lamtumirë votimeve me certifikata. Komisioni i posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore ka vendosur dje që të sanksionojë edhe në Kodin Zgjedhor vullnetin politik që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të mos votohet më me mjete të tjera identifikimi, përveçse me karta identiteti dhe pasaporta. Në mbledhjen e tij të parë për këtë sesion parlamentar, ky komision mori në shqyrtim procedurat e nisjes, zhvillimit dhe të mbylljes së procesit të votimit, procedura që parashikohen në kapitullin e pestë të këtij projekt-kodi. Një nga çështjet kryesore që përmban ky kapitull, ka të bëjë pikërisht me mjetet e identifikimit me të cilat një zgjedhës do të paraqitet ditën e votimit në qendrën përkatëse zgjedhore. Përsa i përket kësaj çështjeje, ashtu siç konfirmoi edhe bashkëkryetari demokrat i komisionit, Ilir Rusmali pas mbledhjes, të gjithë përfaqësuesit e partive politike pjesëmarrëse në të janë shprehur pro heqjes së termit “certifikatë” nga mjetet identifikuese që një votues mund të përdorë gjatë procesit të votimit. “Komisioni miratoi formulimet e ekspertëve që në zgjedhjet e ardhshme të mos ketë më votime me certifikata. Në përgjigje të procesit të reformimit, që po ndodh në institucione të tjera, ne konsiderojmë që certifikatat e kanë mbyllur periudhën e tyre të suksesit, por edhe të dështimit. Ne kemi shumë besim dhe siguri që në të ardhmen, zgjedhësit shqiptarë të mund të identifikohen në komisionet e qendrave të votimit, vetëm nëpërmjet kartave të identitetit dhe pasaportave”, - u shpreh bashkëkryetari demokrat Ilir Rusmali pas mbledhjes së djeshme. Sipas tij, komisioni vlerësoi se për zgjedhjet e ardhshme Shqipëria ka të gjitha mundësitë që qytetarët e saj të mund të votojnë me mjete të sigurta identiteti, siç mund të jenë kartat apo dhe pasaportat biometrike. Por, ndërkohë, burime pranë këtij komisioni kanë konfirmuar për “Shekullin” se të drejtën e votës do ta ushtrojnë edhe ata persona që kanë jo vetëm dhe domosdoshmërisht pasaportat e reja biometrike, por edhe ata individë që posedojnë një pasaportë nga ato ekzistueset, por gjithmonë të vlefshme nga ana ligjore. Për të pasur një pasqyrë më të saktë të procesit të prodhimit dhe të mundësisë së pajisjes së qytetarëve me karta identitetit dhe pasaporta të reja, komisioni ka vendosur që të thërrasë, në javën e ardhshme, përfaqësuesin e Ministrisë së Brendshme për të dhënë sqarime se në cilin nivel gjendet ky proces. Një tjetër vendim tjetër i marrë dje nga komisioni, ishte edhe ai për të hequr përfundimisht kutitë lëvizëse të votimit. Në këtë mënyrë, është përcaktuar që zgjedhësit do të mund të votojnë vetëm në qendrën e votimit ku dhe kanë vendbanimin e tyre. Bëjnë përjashtim vetëm ata individë që, për shkaqe të ndryshme dhe të parikuperueshme, nuk mund të jenë prezentë ditën e votimit në qendrën e tyre të përhershme të banimit. Këtu përfshihen të burgosurit dhe ushtarakët. Deputetët kanë përcaktuar gjithashtu në Kod marrjen e masave për krijimin e kushteve për të votuar nëpërmjet një flete të posaçme votimi të të gjithë të verbërve. Ndërkohë, një çështje e papërfunduar ka qenë ajo që ka të bëjë me vëzhguesit në procesin e nxjerrjes së rezultatit. Kështu, në Kod pritet të përcaktohet që të gjitha ato parti që nuk do të kenë mundësi për të pasur anëtar komisionesh apo grupesh numërimi, do të mund të ndjekin nga afër nëpërmjet vëzhguesve të tyre procesin e numërimit dhe nxjerrjes së rezultatit të votimit. Siç mësohet nga burime pranë dy partive të mëdha, është përcaktuar tashmë që të bëhet pjesë e Kodit edhe përcaktimi i koalicionit të përbërë, për të cilin ka folur dje dhe bashkëkryetari, Ilir Rusmali.
Vendimet e djeshme të komisionit
Hiqet termi certifikatë nga mjetet identifikuese që një votues mund të përdorë gjatë procesit të votimit
Votuesi mund të paraqitet në qendrën e votimit me karta identiteti ose pasaportë biometrike ose jo
Hiqet përfundimisht kutia lëvizëse e votimit
Zgjedhësi voton vetëm në qendrën e votimit që është pranë vendbanimit të tij të përhershëm
Të burgosurit dhe ushtarakët u krijohet mundësi të votojnë pranë vendbanimeve të tyre të përkohshme
Krijohet një fletë e veçantë votimi zgjedhësit e verbër
Përveç vëzhguesve në qendrat e votimit përcaktohen dhe vëzhguesit për procesin e nxjerrjes së rezultatit