E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy peqinas therin dy lushnjarë

Peqinasit bëhen sërish problem për policinë e Lushnjës. Ndërsa në fund të javës së shkuar, një banor i fshatit Karinë të Peqinit ishte viktima e një atentati në territorin e Lushnjës, dje dy vëllezër nga Peqini kanë qenë në rolin e autorëve të një krimi. Policia e Lushnjës njoftoi se dy vëllezër nga Peqini kanë plagosur rëndë dy vëllezër nga fshati Gjyshaj i Lushnjës. Ngjarja ka ndodhur dje në orën 15.45, kur Durim dhe Fiqiri Lleshi kanë shkuar në shtëpinë e motrës së tyre, në fshatin Gjyshaj të Lushnjës dhe aty, pasi janë grindur me vëllezërit e dhëndrit të tyre, i kanë qëlluar këta të fundit me thika. Luan dhe Zylyf Gjyshaj janë viktimat e sulmit me thika, të cilët janë shtruar në gjendje të rëndë në spital. Policia ka arrestuar njërin nga agresorët, Durim Lleshin, ndërsa ka shpallur në kërkim tjetrin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›