Burg pa afat për Shezai Gegën
Akuza për trafikimin e lëndëve narkotike është vlerësuar nga gjykata, e cila ka vendosur që të lërë në burg pa afat të pandehurin Shezai Gega. 38-vjeçari nga Berati është arrestuar pak ditë më parë, i akuzuar se ishte pronari i një sasie droge të kapur në pikën kufitare të Kakavijës në tentativë për t‘u trafikuar drejt Greqisë. Dje, Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet ka marrë në shqyrtim masën e sigurisë ndaj Shezai Gegës. Avokati i tij mbrojtës ka kërkuar një masë sigurie të butë duke paraqitur disa argumente për këtë, por gjykata nuk duket se është bindur dhe ka vendosur ta lërë në burg pa afat 38-vjeçarin nga Berati.
Gega u arrestua me akuzën e trafikut të 160 kilogramë bimë narkotike e llojit kanabis sativa që u bllokua pesë ditë më parë në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, që lidh Shqipërinë me Greqinë. Droga u kap mëngjesin e datës 31 janar, në një kamion tip "Volvo F16", me targa BR 18 52 B, që drejtohej nga 46-vjeçari Agron Rrushi, lindur dhe banues në qytetin e Fierit. Droga, sipas hetimeve, kishte destinacion Greqinë dhe ishte e fshehur në hapësirën ndarëse ndërmjet katit të parë dhe të dytë të kamionit, i cili shërbente për transport kafshësh dhe shpendësh. Pas hetimeve të kryera, policia arrestoi Gegën, duke e akuzuar si pronar të kësaj lënde narkotike.