Të gjithë pro referendumit në Vlorë
I pari që është shprehur për referendum për ndërtimin ose jo të veprave të naftës në Gji të Vlorës ka qenë Kryeministri aktual, në prag të zgjedhjeve të 3 korrikut dhe që u mishërua edhe në programin e qeverisë "Berisha". "Mazhoranca e re ka shfaqur kundërshtimin e saj për ndërtimin e termocentralit pranë Vlorës, pa marrë më parë mendimin e komunitetit vlonjat. Kryerja e referendumit për këtë çështje do ta gëzojë mbështetjen e qeverisë", thuhet në programin e qeverisë së PD-së 2005-2009 (pika 67/4). Dhe për sa kohë ai nuk është shprehur ndonjëherë kundra referendumit në Vlorë, nuk mund të themi se Berisha e pengon referendumin. Edhe nga i gjithë spektri i politikës dhe i mazhorancës nuk është dëgjuar në publik ndonjë politikan që të shprehet kundra referendumit në Vlorë. Një prej këtyre politikanëve, z. Nikollë Lesi, madje ka kërkuar interpelancë në Parlament për të verifikuar pengesat për referendumin.
Në emisionin "Deja Vu" të së premtes z. Xhufi, u shpreh edhe në emër të LSI-së se referendumi i kërkuar nga vlonjatët është e drejtë e pakundërshtueshme dhe zgjidhje e problemit. Madje z. Xhufi hoqi një paralele me rolin e shoqërisë civile në Itali në vitet ‘70, duke deduktuar se lëvizja e Vlorës përbën një ndryshim të madh në shoqërinë shqiptare. Për më tepër, kryetari i Këshillit Bashkiak të Vlorës, z. Arben Sinani, përfaqësues i LSI-së aty jo vetëm që inicioi një kërkesë të dytë për referendum (pas asaj të qytetarëve në 2005-ën), por edhe ka qenë në radhët e para të protestave të fundit qytetare me sloganin "Rezistencë deri në referendum". Në protestën e së dielës së kaluar në Vlorë u bashkuan edhe qytetarë të inkuadruar në PSD, me thirrjen e bërë nga vetë udhëheqja e kësaj partie.
Z. Rama, me gjithë ngarkesën negative të mbartur në PS si rrjedhojë e rolit të iniciuesit të naftëzimit të Vlorës nga paraardhësi i tij, ka shprehur me guxim qysh para zgjedhjeve vendore qëndrimin e tij pro referendumit dhe e ka theksuar këtë disa herë në vazhdim. Z. Gjika, kryetar i Bashkisë së Vlorës, megjithëse i etiketuar nga populli i Vlorës si besëngrënës, pasi pati premtuar se "nuk ka burrë nëne të dalë kundra vullnetit të popullit të Vlorës", nuk ka dalë asnjëherë kundra referendumit vendor.
Nëse ndjek me vëmendje mediat, cilido mund të konstatojë lehtë se opinioni i huaj i të gjithë analistëve është pro referendumit. Dhe vërtet, ndër analistët më të njohur në vend, herët a vonë janë shprehur me PRO të fortë për referendum në Vlorë. Të tillë janë Fatos Lubonja, Mustafa Nano e Andrea Stefani. Pro referendumit u shpreh qartë në shkrimin e tij të djeshëm në revistën MAPO, Skënder Minxhozi, kryeredaktor i së cilës ai është, megjithëse ka gjasa që në kushtet e bërjes së referendumit ai mund të jetë promotor i votimit pro veprave të naftës. Por kjo është më se normale. Edhe vetë drejtuesit e Aleancës Qytetare deklaruan në protestë se nëse fiton varianti i veprave të naftës 50% +1, ne do jemi të parët të angazhohemi për ndërtimin e këtyre veprave.
Pa dyshim pro referendumit janë OJF-të. Ekzaktësisht 3 vjet më parë (18 shkurt 2005) OJF-të më të zëshme në vend, organizata MJAFT, "CoPlan", Ekolëvizja, Shoqata për të Drejtat e Njeriut, Këshilli Rinor etj., u kanë dërguar letër autoriteteve më të larta të vendit, ku i kërkojnë respektimin e të drejtës së qytetarëve të Vlorës për të marrë pjesë në vendimmarrje për ndërtimin e veprave të naftës në Gji të Vlorës.
Mbi të gjitha, pro referendumit është vetë dokumenti i Kushtetutës së Shqipërisë. Në të thuhet açik: "Vetëqeverisja në njësitë vendore ushtrohet nëpërmjet organeve të tyre përfaqësuese dhe referendumeve vendore" (neni 108, pika 4).
Referendumin do ta përshëndesnin edhe ndërkombëtarët. Si p.sh., Bashkimi Evropian, që është dhe firmëtar, si dhe Shqipëria e Konventës së Aahrusit, e cila pas një analize të hollësishme, gjeti shkelje nga ana e Shqipërisë të Konventës lidhur me veprat e naftës në Vlorë. Referendumin do ta përshëndesnin edhe qytetarët e Burgasit, që do të shkojnë në referendum më 17 shkurt pikërisht për të njëjtën gjë, për t‘i thënë po ose jo një naftësjellësi që fillon në portin e Burgasit, ku fillon edhe naftësjellësi që mbaron në Vlorë.
Po kush është kundra referendumit në Vlorë? Kush janë hijenat që nuk e dëshirojnë demokracinë në Shqipëri? Rasti i referendumit të Vlorës do të tregojë nëse demokracia funksionon ose jo në Shqipëri. Por një gjë është e sigurt, shqiptarët janë lodhur duke bërë hapa prapa dhe janë më të vendosur se kurrë për të ecur përpara.