Rektori liberal, studentët në master pa notë mesatare
Prof.dr. Jorgo Kaçani, është prej dy ditësh rektori i ri i Universitetit Politeknik të Tiranës. Ai është profesor i lëndës "Teknologjia e materiale" pranë Fakultetit të Mekanikes. Kur e pyet se çfarë ju shtyu të kandidoni për rektor, ai thotë se "motivi kryesor dhe më i rëndësishmi është aktiviteti im prej 27 vitesh, në Universitetin Politeknik, ku kam realizuar të gjitha kualifikimet e mia shkencore nga kandidat i shkencave në vitin 1998, deri te titulli "profesor" në vitin 1999". Më tej, si arsyet të dytë, Kaçani rendit faktin se ka realizuar të gjitha shkallët e karrierës, duke kryer të gjitha postet akademike në drejtimin e fakultetit, që nga ajo e përgjegjësit të sektorit, përgjegjësit të departamentit, inspektorit për anën mësimore, zv.dekanit dhe së fundmi të dekanit. Kështu, kandidimi për rektor erdhi natyrshëm për të si rritje në karrierë.
Jeni i zgjedhuri i studentëve dhe pedagogëve të inxhinierive, çfarë do të bëni për ta gjatë mandatit tuaj?
Planet e mia si rektor nisen nga gjendja në të cilën ndodhet universiteti dhe në tërësi shoqëria shqiptare sot dhe synojnë të përcaktojnë hapat që duhen hedhur në mënyrë që Universiteti Politeknik i Tiranës të rreshtohet me dinjitet krahas universiteteve perëndimore e lindore të njohura. Një ndër synimet kryesore është këmbëngulja maksimale për vlerësimin e pasurisë më të madhe të Universitetit Politeknik, atë të stafit akademik duke ngritur në podiumin e nderit figurën e ndritur të edukatorit. Realizimi i një autonomie financiare të decentralizuar brenda universitetit deri në departament dhe transparenca e plotë në shpërndarjen e buxhetit të brendshëm në universitet deri në departament. Unë do të krijoj hapësirat e përshtatshme që pedagogët, studentët dhe personeli administrativ të kontribuojë efektivisht në drejtimin e fakultetit, duke i kushtuar vëmendje të veçantë sigurimit të vazhdimësisë së brezave të stafit akademik, përgatitja e të cilëve kërkon investime të mëdha individuale e shoqërore. Gjatë katër viteve unë synoj që të realizoj një përfshirje të stafit të kualifikuar të universitetit në projekte, oponenca e borde në shkalle dikasteriale e më tej, duke pasur gjithnjë nën kujdes kualifikimin e stafit të ri pedagogjik me synim rritjen cilësore të mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor. Gjatë drejtimit tim si rektor, do të ketë një rritje cilësore të shërbimit për studentët duke synuar deri në hartimin dhe përdorimin e programeve si ai i regjistrimit të studentëve, qendra të informimit të studentëve, nxjerrjen e organit botues të studentëve etj., që në vitin 2008. Por kam edhe një premtim tjetër për ta. Do të investohem personalisht për reduktimin e kritereve të regjistrimit në nivelin e dytë master të Bolonjës. Kryesisht për heqjen e kriterit të notës mesatare.
Po në fushën e shkollimit akademik dhe të kërkimit shkencor, çfarë synoni të arrini?
Në fushën e mësimit, do të realizojmë studimin e kërkesave të tregut të punës dhe në përputhje me të, ristrukturimin e aktivitetit të mësimdhënies me qëllim që përgatitja e kuadrit të ri t‘u përgjigjet këtyre kërkesave. Do të bëjmë fillimin e punës për ekuavalentimin e diplomave bazuar në sistemin e kreditit në universitet si instrument që mundëson rritjen e transparencës, ngritjen e urave midis institucioneve të arsimit të lartë, lëvizjen e lirë të studentëve etj. Gjithashtu, puna ime do të synojë gjithnjë në kualifikimin e vazhdueshëm të stafit të ri pedagogjik për kryerjen e SHPU-ve deri në mbrojtje të doktoraturave. Mundësinë e kualifikimit jashtë shtetit, sigurimin e një literature dhe të një periodiku në shkallë universiteti, fakulteti e departamenti deri në ngritjen e bibliotekës së Universitetit Politeknik dhe bibliotekave të fakulteteve dhe pajisjen e studentëve me literaturën e nevojshme bazë. R.Dedaj
CV
Kush është rektori Jorgaq Kaçani
Emri e mbiemri: Jorgaq KAÇANI
Vendlindja: Vlorë, 10.10.1952
Gjendja civile : I martuar me dy fëmijë
Studimet
Studimet universitare: Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Inxhinierisë, Dega Mekanike.
Kualifikimet:
Politekniko i Torinos, Politekniko i Barit (Itali)
Mine University, Maine (SHBA)
Stafordshire University (Angli)
Siegen University, Achen University (Gjermani)
Patra University, National Tecnical University of Athens, Thesaloniki University (Greqi)
Instituti i Materialeve (Francë)
Mie University (Japoni)
Dublin City University (Irland)
Instituto di Saldatura e Qualita (Portugali)
Gent University (Belgjikë)
GIKI University (Pakistan)
Aktiviteti mësimdhënës
Lektor prej 27 vitesh. Ka botuar tekste mësimore, artikuj shkencorë brenda dhe jashtë vendit. Referime shkencore brenda dhe jashtë vendit, si dhe pjesëmarrje në aktivitete shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare.