E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, komisionerët dy rroga shpërblim

Tani që zgjedhjet kanë mbaruar, komisionerët presin shpërblimet. Janë me qindra pedagogë dhe studentë që punuan me orë të tëra për të menaxhuar procesin zgjedhor dhe për këtë presin të paguhen. Universitetet kanë pasur mbi kurriz gjithë koston e zgjedhjeve për drejtuesit e rinj, pasi Ministria e Arsimit nuk ka dhënë asnjë lek. Ndaj, ato kanë bërë edhe planin e pagesave. Burime pranë Universitetit të Tiranës deklarojnë për "Shqip" se anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të marrin dy rroga mujore shpërblim, ndërsa anëtarët e komisionit zgjedhor në fakultete do të marrin 20 mijë lekë si shpërblim.

Duke qenë se nuk ka pasur një fond të paracaktuar për zgjedhjet, në ndihmë ka ardhur edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë që organizon në vend zgjedhjet parlamentare dhe vendore. Kështu, me urdhër të kreut të KQZ-së, Fatmir Gjata, janë vënë në dispozicion të universiteteve kutitë e votimit dhe mjete të tjera të nevojshme për infrastrukturën zgjedhore.

Zgjedhjet universitare zhvillohen me një ligj të ri dhe për herë të parë me bazë të gjerë, ku në votime marrin pjesë të gjithë si studentë, profesorë dhe staf administrativ. Si të tilla ato kishin një kosto të madhe jo vetëm financiare, por edhe pune nga ana e atyre që u angazhuan në proces. Kështu, e gjitha kjo meriton një shpërblim. Anëtarët e komisioneve janë ende në pritje. Për sa i përket KQZI së Tiranës mësohet se para vitit të ri ka marrë një rrogë shpërblim për punën në komision, ndërsa të dytën presin ta marrin këtë muaj. Ndërkohë, anëtarët e komisioneve nëpër fakultete që janë marrë me numërimin e votave, si dhe verifikimin e dokumenteve dhe dhënien e fletëve të votimit ende nuk janë paguar. Puna për ta ka nisur më 07.00 të datës 10 janar dhe ka përfunduar në orët e drekës të datës 11 janar kur kanë firmosur procesverbalet e votimit. Shpërblimin këta komisionerë duhet ta marrin pranë fakultetit ku kanë punuar. Ndërkohë, edhe grupet e numërimit të ngritura pranë rektoratit për të numëruar votat e rektorëve do të marrin 20 mijë lekë për punën e kryer natën e 10 janarit. Shpërblim që do t‘ua japë rektorati i UT-së.

Universitetet shqiptare organizuan zgjedhjet për autoritetet drejtuese në një situatë krejt normale e demokratike me pjesëmarrje relativisht të mirë nga ana e studentëve. Bilancet paraprake tregojnë se në votime morën pjesë afro 50 për qind e studentëve. Ndërsa votuesit pedagogë ishin thuajse të gjithë me afro 90 për qind pjesëmarrje nga numri total i tyre. Në Universitetin e Tiranës, i cili është më i madhi në vend me 20 mijë studentë dhe afro 1 mijë pedagogë, zgjedhjet u deklaruan nga kreu i KQZI-së, Enver Roshi, si korrekte. Për sa i përket fituesve, Roshi tha se "Profesor Dhori Kule është rektori i ri i Universitetit të Tiranës. Po kështu, KQZI ka shpallur edhe fituesit e fakulteteve, ku në Fakultetin e Histori-Filologjisë, dekan është shpallur profesor Shezai Rrokaj, në Fakultetin e Infermierisë, Petrit Bara, në Fakultetin e Drejtësisë, Skënder Kaçupi, në Fakultetin e Mjekësisë, Alfred Prifnjari, në fakultetin e Shkencave Sociale, Theodhori Karaj, në fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Klodeta Dibra, tek Ekonomiku, Omer Stringa, dhe në fakultetin e Shkencave të Natyrës, Ilir Manullari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›