Festat, vonohet shpërblimi i mësuesve
Asnjë mësues nuk ka marrë ende shpërblimin e fundvitit, edhe pse na ndajnë pak ditë nga festat. "Sot është data 23 dhjetor dhe ne ende nuk kemi marrë asnjë lek", thotë Arjeta, mësuese në Tiranë. Sipas Drejtorisë Arsimore, përgjegjëse për këtë vonesë është Bashkia e Tiranës. Kjo për kryeqytetin, ndërsa për rrethet bashkitë përkatëse. E njëjta situatë paraqitet edhe në shumicën e qyteteve dhe komunave. Sipas ligjit, është zyra ekonomike pranë pushtetit vendor që duhet të shpërndajë 10 mijë lekëshin e shpërblimit. "Ne i kemi bërë gati dokumentet dhe i kemi përcjellë për në zyrën ekonomike", kështu u shpreh drejtoresha e Arsimit për Tiranën, Arjana Bektashi.
Por, vetëm pak kilometra larg qytetit të Tiranës, në periferi, ku janë shkollat e fshatrave, paraqitet i njëjti problem. Arsimtarë që presin nga dita në ditë daljen e shpërblimit. Lidhur me këtë problem Ministria e Arsimit deklaron se "shpërblimet do t‘i marrin të gjithë mësuesit, pavarësisht vonesave të vogla procedurale që mund të shkaktohen nga komunat dhe bashkitë".
Por jo vetëm kaq, mësuesit e mirë nuk do të marrin shpërblim ekstra për festat e fundit të vitit.
Përpos 10 mijë lekëshit, që është taksative për të gjithë, ishte parashikuar edhe një shpërblim në bazë të rezultatit në punë. Por, këtë shpërblim nuk do ta përfitojë asnjë mësues i kryeqytetit. Sipas Drejtorisë Arsimore, janë njoftuar vonë për këtë vendim dhe nuk kanë arritur dot të hartojnë dokumentet me emrat e mësuesve përfitues. Diferencimi në pagesën e mësuesve është menduar të implementohet edhe në rrogat mujore. Kështu të paktën është shprehur ministri i Arsimit, Genc Pollo. Sipas tij, vitin e ardhshëm diferencimi i pagave ndër arsimtarë do të bëhet për të rritur sensin e punës. Deri tani është bërë diferencimi për mësuesit e matematikës dhe mësuesit e zonave të thella. Ata e kanë pagën mujore 5 për qind më shumë se të tjerët, me një vendim të qeverisë së vitit të kaluar.
Ndërsa për sa i përket shpërblimit, i cili është edhe objekt i shkrimit, ai mbetet i njëjtë për të gjithë, mësues letërsie, matematike, me performancë të lartë apo të ulët. Të gjithë do të marrin në fund të dhjetorit 10 mijë lekë shpërblim, edhe pse me vonesë.
Vendimi i shpërblimit ekstra është marrë nga Këshilli i Ministrave dhe është i njëjtë për të gjithë buxhetorët. Pra 10 mijë lekë dhe një rrogë shpërblim për performancë të lartë për festat e fundvitit. Por, teksa festat erdhën, performanca ra dhe mbeti shpërblimi bazë prej 10 mijë lekësh. Sipas informacioneve, as dikasteret e tjera nuk do ta përfitojnë shpërblimin ekstra të performancës në punë. Pra, mësuesit nuk janë të vetëm në këtë humbje, çka do të thotë se më shumë se sa punë dokumentacioni, mosdhënia është problem financiar i shtetit.