Trishtimi i një punonjëseje të seksit
Kryetari i bashkisë së kryeqytetit, Nepravishta, ia kishte dalë këtë herë. Në një letër që i dërgonte më 20 korrik të vitit 1937 Xhandarmërisë - e lajmëronte me kompetencë se pronarët e bordellove i kishte detyruar të vinin dritat e kuqe. Në kryeqytetin e Monarkisë Shqiptare 79 gra publike të licencuara ushtronin të lira dhe të patrazuara detyrën e tyre. 70 vjet më vonë, qindrat e punonjësve të rrugës (këtë term gjysma e tyre nuk e njohin), që kemi përballë, as nuk e dinë këtë emërtim. Në fakt, as nuk u duhet fare. Punonjëset e rrugës, që flasin, është vështirë që të hamendësosh se bëjnë punonjësen e seksit. Të tmerron pamja, por më shumë ajo që del nga goja e tyre. Një transvestit të shfaq si dokument një letër anglisht të Grupit Shqiptar të Drejtave të Njeriut, ku me firmën e drejtoreshës së saj thuhet se tranvestiti N.T. 46 vjeç, është dhunuar disa herë dhe shpjegime për Grupin Shqiptar të Drejtave të Njeriut. Ndërsa, gruaja F.M. 35 vjeçe mban një fletë të zhubrosur tejet të "Aksion Plus", organizatës që asiston problematikën e tyre dhe ku shpjegohet se asaj nuk duhet t‘i krijohen probleme në kryerjen e detyrës. "Cila është detyra jote me ‘Aksion Plus‘?" - e pyesim. "Shpërndaj shiringa, prezervativë...", na thotë. "Ku?" "Ah.. në çdo vend". Gruaja e re, të largon nga çdo përfytyrim i vagullt, që mund të kesh për seksin... prej pamjes. Shpjegon pak, kuturu, shpesh ato që i ka përsëritur disa herë. Ku kuptohet se ajo është viktimë?! Si të gjitha. Një histori e spërdredhur, e përsëritur pastaj qindra herë, vijon më pas...
Tirana
Por historitë e punonjësve të seksit, që shqiptarët dhe ballkanasit i bien shkurt: kurvat, ngjajnë si dy pika uji me njëra-tjetrën. Janë rritur shumë në familje të stërvarfra. Romë. Skamnorë etj. I ka bërë pamundësia e jetesës, droga. Në fakt, mënyra e fitimit e lehtë është lakmuese. Në këtë qerthull, tash peshkojnë shtresat më të ulëta të shoqërisë shqiptare. Kurse klientët e tyre janë të ardhur, të rinj pa asnjë dyshkë dhe punonjësit e huaj, por që kanë portofola modestë. "Këtej nga "Zogu i Zi" gjuhen turqit shumë; nga kodrat e Liqenit, një pjesë tjetër e ngeshme; në qendër të ashtuquajturit krunde; në lulishten pas Operës, të vobektit; te Treni të papërcaktuar. Ne kemi një dhomë nga "Zogu i Zi", më shpjegon tranvestiti- Janë disa që punojnë me turqit te doganat. Ka dhe femra që punojnë për qejf, por edhe për siklete, kurse neve na quajnë të dorës së dytë", më shpjegon me keqardhje. "Tani, ka që vijnë dhe me çanta (koncepti për intelektualët), ka dhe nga ata që janë nëpunës. Aty bëjnë një oral dhe ikin...ose vaginal. Ka dhe më të ngritur. Mos harro ka edhe biseksualë ka dhe homoseksualë që vijnë, që i njoh shumë. Ka dhe njerëz të dhunshëm dhe të qetë", më shpjegon F.M., që në fund më përsërit se tani e ka lënë rrugën dhe merret me punë "të saktë". Po të tjerat, pyesim dikë: "Rrugëve, nëpër tunele, rronzave, bodrumeve, lulishteve, ku të kapi - ku të gjejmë rastet në hotele ose jashtë. Nuk futemi dot në vende të tjera". Sa për frikë dhe kujdes, harrohen. "Kemi bërë kontrolle dhe tash nuk kam dhe moshë. Mbaj prezervativ. Nuk ia vlen për 200-300 lek, po çfarë të bëj unë... të lyp rrugëve. A mjafton që jam i nderuar që nuk thyej ligjet penale se atëherë nuk do thyej ligjet. Ka transvestitë që janë agresivë. Në Shqipëri ne tashti jemi pak. Jemi rreth 20, por jetojmë.... Ne jetojmë me frikë gjithë kohën, sepse jemi rrethuar me maniakë të ndryshëm, njerëz... dhe grupe djemsh..jemi me kokën në duar...Kemi pasur dhe përleshje...Më kanë rënë me tullë", qahet tranvestiti i parë shqiptar, që mundohet të stërhollojë zërin deri në pamundësi...
Pak më tutje, situata e prostitucionit, nuk është kaq e keqe. Vjen pjesa e hoteleve, që hapen ashtu si drejtohen arteriet e Tiranës nga qendra. Fillojnë nga Rruga e Elbasanit dhe ngjiten deri në Sauk, ku kuptohet se ‘malli‘ është i qëmtuar, sepse janë studentet. Ndërsa janë dhe hotelet e lira si kërpudha pas "Hotel Tiranës". Arteri tjetër është në Rrugën e Durrësit. Kurse për kategorinë më të lartë, që gjendet via-celular, nuk mund të flitet me punonjëset e seksit. U duken si botë tjetër. Ato i llastojnë në hotelet e mira, ku sportelistët në këmbim të 50 USD ose eurove mund t‘i dërgojnë në parajsë, të zhuriturit ndërkombëtarë...dhe njerëzit me lekë.
Ëndrra mbaron. Tranvestiti i njohur është më konkret. Me këmbët në tokë. Bashkë me një shoqen "e saj", flenë në Kolonatën e Pallatit të Kulturës me kartonë. Problemi i saj është problemi i ditës. Me çfarë do jetojë sot? Nesër. E vetmja shpresë mbetet drejtori i "Aksion Plus", një nga aktivistët më të njohur të komuniteteve problematike, Genc Muçollari. Falë mundësive prej tij, grupi i punonjësve të seksit të rrugës, gjen pak ushqim. "Data 17 dhjetor është dita e luftës kundër dhunës ndaj PS-ve, por këtu sikletet e tyre pak dëgjohen. Janë tmerrësisht të diskriminuar", thotë vetë Genci.
Plot me shtëpi publike dhe çingije
Tirana e paraluftës ishte e mbushur me shtëpi publike e çingi. Pazari i vjetër, që ishte qendra e kryeqytetit, me pisllëkun e tij shekullor, fshihte mistere të këndshme. Bash
kur pushonin të rrahurat e çekanëve të bakërxhinjve dhe ulërimat e zejtarëve, midis ndërtesave anash rrugëve të këtij pazari oriental, qejflinjtë e natës me kapelën pak të rrasur mbi sy, mblidheshin në tri shtëpi publike. Njësoj si sot, në Lagjen e Tabakëve, Brrakës, Pështrive dhe ajo e Bregut të Lumit, të tjera femra prostituojnë lirisht. Falë një ligji, prefektët kishin të drejtë të lëshonin autorizime për të sjellë nga jashtë shtetit femra. Ndaj, gra publike me orkestra vijnë nga Hungaria, Rumania, Jugosllavia dhe Italia. Pas mbrëmjes, ato japin show-n e kohës në kafe "Kursal", në hotel "Splendit", kundrejt xhamisë së Sahatit, hotel "Metropoli", përkundrejt tij hoteli i Kryqit të Kuq dhe shumë lokale kumari përreth. Shtëpitë publike marrin emrat e hoteleve si "Ferrara" (në afërsi të ish-radios së vjetër "Tirana"), Hotel "Stambolli" që ka për pronare një armene. Por, një pjesë tjetër, që nuk i frekuenton dot këto shfryhet në kafe ahengjesh me emra ekzotikë si kafe "Bilbili" në rrugën e Varrit të Bamit, kafe "Dëfrim-Vera", që ndodhej atje ku sot është Pallati i Brigadave, një tjetër në ish-centralin elektrik "Sita" në Rrugën e Durrësit, e pak më poshtë edhe kafe-lulishte "Zorro". Në vitet 1938-1939 pronarët e shtëpive publike ishin më së shumti meshkuj dhe pas pak vijojnë dhe femra. Numri i këtyre shtëpive u shtua nga viti në vit.
Kush i frekuenton
Punonjësit e seksit në përgjithësi kryejnë marrëdhënie seksuale me partnerë që i paguajnë ata për këtë gjë, por edhe partnerë që nuk paguajnë. Kategoria e personave të përfshirë në marrëdhënie seksuale me punonjësit e seksit varion në një gamë të gjerë; të dashur apo bashkëshortë, partnerë rastësorë, klientë me pagesë etj. Niveli dhe shtrirja e sjelljeve të rrezikshme, nga ana e punonjësve të seksit, varet shumë nga kategoria e partnerëve me të cilët kanë marrëdhënie. Punonjëset e seksit ka më pak të ngjarë të përdorin prezervativ me partnerë që nuk paguajnë për një sërë arsyesh psikologjike, emocionale dhe fizike. Kjo gjë rrit mundësinë e transmetimit të HIV dhe SST nga dhe te partnerët që nuk paguajnë. Në fakt, ka një diferencë të vogël për sa u përket partnerëve që paguajnë dhe atyre që nuk paguajnë dhe që janë përdorues drogash.
Problemet
Por HIV dhe SST-t- nuk janë i vetmi problem me të cilin përballen punonjësit e seksit. Ata shpesh përballen me akte dhune dhe agresioni dhe për këtë gjë nuk ka, ose ka fare pak mbrojtje ligjore. Sikurse në shumë vende, pjesa më e madhe e programeve, që kanë të bëjnë me punonjësit e seksit, janë më shumë pragmatike, bazuar në të dhëna shkencore, si dhe në parimet e të drejtave të njeriut, por në realitet janë shpesh të kufizuara dhe të bazuara në paragjykimin moral, pa përmendur paragjykimin nga popullsia e përgjithshme që konsiderohet "normal". Këto qëndrime vështirësojnë aksesin e punonjësve të seksit në shërbimet shëndetësore, duke përfshirë trajtimin për varësinë nga droga dhe parandalimin, testimin apo kurimin për HIV. Punonjësit e seksit vendosen shpesh në pozita ku të drejtat e tyre të njeriut mund dhunohen lehtësisht dhe ku mbrojtja e këtyre të drejtave është e vështirë, për të mos thënë e pamundur, shpjegon Genc Muçollari. "Unë kam një dokument të "Aksion Plusit". Dhe bëj punën time, na shpjegon F.M. U jap përdoruesve shiringa dhe dal nga Liqeni, Sahati, Treni, ku janë përdoruesit".
"Të del koha për punën", e pyesim. "I kam lënë këto. Kam një vajzë 15 vjeç, të martuar dhe tash i kam vënë kapak", më shpjegon. "Me 200-300 lekëshat e asaj pune shtyja dhe kur shkoja deri te 1000 lekëshi shkoja dhe i prishja pastaj për heroinë". E ndërpret tranvestiti: "Nuk kemi siguri, sepse nuk na pranojnë. Na zbresin nga autobusi! Na përzënë nga lokali. Na përzënë nga familjet. Nuk i njohim fare festat. Homoseksualët e kanë një ndihmë prej shtëpive por ne nuk kemi dhe familje. Kam 20 vjet që jam arratisur dhe nuk kam asgjë. Jam e vetme".
Si mund të ndihmohen
"Unë jam myslimane. Unë besoj. Kam besuar shumë sa ikja në Kras dhe ndizja qiri. Po të mos ishte Zoti nuk do jetonim", vazhdon sërish transvestiti. Në fakt, Bashkia e kryeqytetit, mund të vepronte që t‘u lëshonte diku një mjedis, që ata t‘i mbijetonin skamjes, por edhe të gjithë problemeve, që rrjedhin nga statusi i tyre. "Dikur i kam bërë letër Sali Berishës dhe Edi Ramës, duke i shpjeguar situatën, por Edi na drejtoi në një zyrë pune. Ndërsa Sali Berisha nuk na dha përgjigje, por na mori një ditë..në polici. Kjo ishte përgjigja". Kjo është kategoria e këtyre qyqarëve, që u duhet të ruhen nga të gjitha. Madje, edhe nga seksi i shumëpërfolur i tyre. Transvestiti N.T. sot, 46 vjeç ka bërë pjesën e gjoksit, ndërsa nuk ka mundur të operojë organin gjenital. Kjo, thjesht për të mbijetuar. Ka dalë publikisht më 1997 dhe që atëhere është pjesë e stigmës së gjithë shoqërisë. "Kam pasur një partner se e ndjeja veten. Nuk dua të them, sepse kam vuajtur kaq shumë sa më kanë hëngër lekun të tjerët..shkoja për thjesht...Thjesht zura një të dashur se çdo njeri ka nevojë për një të dashur. Por kjo dashuria jonë është e kotë sepse na përdorin për interesa, intriga lekë". Problemi i tij është se ende quhet me emrin mashkullor, ashtu si një pjesë tjetër, që për t‘i shpëtuar stigmës shqiptare, që tash janë në vende të huaja. Ndërsa, grupi i madh i punonjëseve të rrugës...është në dilemën e mbijetesës së vështirë.
...
Lufta e Dytë Botërore e shtoi numrin e prostitutave në Shqipërinë tejet "fanatike". Kuptohet se një pjesë e femrave bënë udhën e pushtuesve. Erdhën, qëndruan dhe ikën. Në fund, italianeve të bukura, iu krijuan të gjitha kushtet të linin vendin. Pak u ekzekutuan, si mbështetëse të pushtuesve. Një pjesë u martuan dhe më fatkeqet mbetën beqare me stigmën e kurvës mbi kurriz. Komunizmi i mbylli të gjitha, paçka se në vendet kolektive në Kombinate dhe Uzina, seksi në turnin e tretë ishte free. Zyrtarisht, në emër të moralit të lartë, nuk kishte më shtëpi të tilla. Njësoj si pas viteve ‘90, kur shumë politikanë janë përfolur për lidhje. Ato janë rrugës. Të tri kategoritë dhe shtuar me homoseksualët dhe tranvestitët i hasim kudo. Tutorët majmen. Shteti bën gjumin e Tomit. Hiret e një lavireje, sipas portofolit, mund t‘i marrësh kudo. Shpesh, pa ndonjë vizitë mjekësore. Kuptohet mund të marrësh dhe ndonjë sëmundje. Nga ato që dikur njiheshin si sëmundje veneriane, ndërsa sot njihen si sëmundje seksualisht të transmetueshme… Por, kryetari aktual i bashkisë, nuk ua hap derën tranvestitëve dhe punonjëseve, që na rrëfejnë. Thjesht i adreson institucionalisht në zyra pune hipotetike. E kështu tirret hipokrizia e shqiptarëve...
(Marrë nga MAPO)