Fidel Kastro, gati të lërë pushtetin
Për të parën herë që nga largimi i detyruar nga pushteti, më shumë se një vit më parë për shkak të problemeve të shëndetit, lideri kuban, Fidel Kastro, ka marrë në konsideratë mundësinë e lënies së funksioneve të tij. Lideri i Kubës flet në fakt për të ardhmen e tij politike dhe siguron se nuk ka ndër mend të qëndrojë i lidhur me pushtetin dhe as të pengojë ngjitjen e liderëve të rinj në pushtet. Në një letër të lexuar në televizionin kubanez, Kastro pohon edhe se "problemet aktuale të shoqërisë kubaneze kërkojnë një alternativë të re dhe se modeli socialist i ndjekur në Kubë duhet të pësojë ndonjë ndryshim. "Nuk do të jetë një rrugë e lehtë kjo", paralajmëron lideri kuban. Ndaj, vazhdon Kastro, "detyra ime nuk është ajo e të qenit i lidhur me pushtetin dhe as të pengojë rrugën e personave më të rinj, por të vë në dispozicion përvojën time dhe idetë e mia, vlera modeste e së cilave vjen nga epoka e jashtëzakonshme në të cilën unë kam jetuar". Parlamenti kuban mund të formalizojë tërheqjen e Kastros, marsin e ardhshëm, kur të mblidhet për të zgjedhur Presidentin e ri të Këshillit të Shtetit, detyrë që Kastro e mban prej më shumë se 30 vjetësh. Sipas së përditshmes spanjolle, "El Mundo", letra e lexuar në televizion, përforcon hipotezën se Kastro, 81-vjeçar, mund të luajë në të ardhmen një rol këshillues. Lideri kuban nuk shfaqet në publik që prej thuajse 17 muajsh, që kur iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Ai ka qeverisur pandërprerë Kubën që nga viti 1959. Sipas vëllait 76-vjeçar, Raul, që ka marrë fuqitë e tij, Kastro mbahet në dijeni për gjithçka dhe konsultohet për të gjitha vendimet më të rëndësishme. Nëntë muajt e fundit ka publikuar editoriale në shtypin zyrtar të Kubës, kryesisht mbi temat e çështjeve ndërkombëtare.