E Diel, 1 Nëntor 2026

Mahmoud Ahmadinexhad i bashkohet pelegrinazhit në Mekë

Presidenti Mahmoud Ahmadinexhad është lideri i parë iranian që bën pelegrinazhin e haxhit. Në fakt, ai u ftua nga Mbreti Abdullah i Arabisë Saudite, vend ky aleat i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, t‘i bashkohej afro dy milionë myslimanëve në pelegrinazhin e përvitshëm në Mekë. Islami u kërkon të gjithë myslimanëve të aftë fizikisht, që të paktën një herë në jetën e tyre ta bëjnë këtë udhëtim, gjithnjë nëse kanë mundësi financiare. Por Ahmadinexhad është i pari President i Iranit, të dominuar nga shiitët, që ndërmerr këtë pelegrinazh në Arabinë Saudite të qeverisur nga sunitët. Haxhi ka qenë tradicionalisht një pikë e rëndësishme për marrëdhëniet thuajse të acarta mes dy vendeve. Në vitin 1987, gjatë një demonstrimi iranian në pelegrinazh, forcat e sigurisë u përpoqën të shuanin protestën dhe më shumë se 400 persona, përfshirë 275 iranianë, mbetën të vdekur. Një vit më pas, Teherani dhe Riadi u dhanë fund marrëdhënieve diplomatike dhe pelegrinët iranianë qëndruan larg Mekës për katër vite me radhë. Kohët e fundit, të dyja vendet kanë dhënë përshtypjen e një afrimi dhe kanë premtuar të punojnë së bashku për t‘i dhënë fund krizës në Liban dhe për të sjellë stabilitet në Irak. Vizita e Presidentit mund të shihet po ashtu si një konsolidim i marrëdhënieve. E kështu Ahmadinexhad duhej t‘i bashkohej pelegrinëve të mbledhur në Malin Arafat dje, ku u lutën për faljen e Allahut dhe simbolikisht pritën për gjykimin e fundit, por trafiku i rënduar pengoi pjesëmarrjen e tij. "Nëse kam bërë ndonjë gabim në ndonjë nga fjalimet e mia, nëse kam thënë ndonjë gjë që nuk ka qenë në përputhje me interesat e kombit dhe ka dëmtuar kombin, apo nëse nuk kam qenë në gjendje të mbroj të drejtat e tij, atëherë i kërkoj njerëzve të më falin", tha Ahmadinexhad para se të largohej nga Irani. Pelegrinazhi i tij do të përmbledhë të gjitha ritualet e shenjta që lidhen me haxhin, përfshirë edhe rrotullimin për shtatë herë përreth Kaaba-së, struktura rrethore, në Xhaminë e Madhe. Pelegrinazhi i përvitshëm ka ngritur në vazhdimësi shqetësime në lidhje me sigurinë, kjo duke pasur parasysh vitet e shkuara. Vetëm një vit më parë, 364 persona u vranë të shkelur me këmbë, në hyrje të Urës Jamarat, ku pelegrinët tradicionalisht godasin me gurë kolonat e vendit të shenjtë, një veprim që simbolizon dëbimin e djallit. Zyrtarët sauditë thonë se janë marrë masa që skena të tilla të mos përsëriten më dhe këtë vit, në urë mund të kalojnë deri në 200 mijë persona në orë. Rreth 2 milionë pelegrinë nga 181 vende të botës, kanë udhëtuar këtë vit drejt Arabisë Saudite, për të kryer ritualin e shenjtë të islamit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›