E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rusia dhe Kina, ja kush fiton nga sherri i Iranit me Perëndimin

Ofensiva e egër anti-iraniane e Presidentit Bush është duke u shpërblyer. Pas disa vizitash shumë miqësore në javët e fundit të udhëheqësve evropianë, ku është folur në lidhje me raundin më të fundit të sanksioneve ekonomike të SHBA-së ndaj Iranit, qeveritë evropiane janë duke marrë një pozicion më të ashpër, me shpresat për shuarjen e rrezikut të pushtimit. Që tani, "Deutsche Bank", "Commerzbank", "Siemens", "Dresdner" dhe HSBC janë tërhequr nga Irani. Aq më mirë për rivalët e tyre në ngjitje në treg. Qindra kompani kineze dhe ruse po punojnë në Iran; shumë pak prej tyre priten të largohen së afërmi. Në fakt, raundi më i fundit i sanksioneve ekonomike të SHBA-së mund të ketë efekt të kundërt me atë që është synuar, duke nxitur biznesin iranian gjithnjë e më shumë në duart e kompanive tregtare agresive kineze dhe ruse, të cilat janë në kërkim të kontratave fitimprurëse, që dikur dominoheshin nga Perëndimi. Në sektorë si prodhimi i naftës, telekomunikacioni, hapësira ajrore dhe automobilat, mungesa e kompanive të mëdha perëndimore po krijon shanse të reja për këto kompani në rritje, me një prej tregjeve me zhvillim më të shpejtë dhe më strategjik të botës (gjysma e popullsisë së Iranit është nën moshën 20 vjeç). Energjia është çmimi më i dukshëm. Deri tani prodhimi i naftës në Lindjen e Mesme është mbyllur ndaj Kinës dhe Rusisë, për shkak të konkurrencës së fortë nga Perëndimi. Kompanitë e mëdha amerikane dhe evropiane të naftës, si edhe kompani shërbimesh si Halliburton e SHBA-së dhe Schulmberger e Francës, janë aktorët më të avancuar dhe të aftë në fushën e energjisë. Shohim, për shembull, kompaninë ruse "Tatneft", përpjekjet e fundit të së cilës për të fituar kontrata më të mëdha të prodhimit të naftës dhe gazit janë çuar dëm prej gjigantëve perëndimorë shumë të përparuar në teknologji si "Shell" dhe "Occidental". Por, në Iran, kompani si "Shell", "Total" dhe BO janë tashmë hezituese për të realizuar marrëveshje të reja energjetike, për shkak të rritjes së tensioneve gjeopolitike. "Kinezët dhe rusët do të mund të marrin tani kontrata që nuk do t‘i kishin marrë kurrë, në kërkime dhe prodhim nafte", thotë Vali Nasr, një studiues në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë. Tashmë këtë vit, Irani ka firmosur marrëveshje në një shumë totale 3 miliardë dollarë me kompaninë shtetërore kineze të naftës, si dhe me kompani petrokimike nga Kina për të zhvilluar projekte në zbulim e nxjerrje, si dhe për të bërë përmirësime në burimet ekzistuese. Kompania kineze "Sinopec" ka një kontratë 2.7 miliardë dollarëshe për përmirësime në rafinerinë Arak në Iran, si dhe marrëveshje të tjera me vlerë 70 milionë dollarë për zhvillimin e burimit të gazit në Jadavaran dhe bllokun e naftës në Gamsar. "Pjesa më e madhe e kompanive të tjera perëndimore janë shumë dyshuese për realizimin e këtyre investimeve të mëdha në Iran, për shkak se rreziqet gjeopolitike janë kaq të larta, saqë ato zënë më shumë peshë sesa termat që ofron Irani", thotë Michael Herbrg, drejtor kërkimesh në zyrën kombëtare për kërkime aziatike në Seatle. "Kompanitë kineze kanë një reputacion të vendosur tashmë, që pranojnë kushte që janë më pak bujare". Kina, e cila mund të kryejë punën në infrastrukturë me një kosto kapitali praktikisht zero, po shpreson të përdorë këto marrëveshje për të marrë prodhimet e para, si dhe kushte më të mira për prodhimin në të ardhmen. Ndërkohë që kompanitë e mëdha perëndimore kërkojnë zakonisht 20 deri 30 centë për dollar, kinezët janë zakonisht të gatshëm të bien dakord edhe për më pak se 5 centë, në kërkimin e tyre të dëshpëruar për të gjetur më shumë naftë për furnizimin e rritjes së tyre ekonomike të "pashtershme". Edhe kompanitë kineze të telekomunikacionit po ecin përpara furishëm. "Huawei", sot kompania më e madhe në Kinë për pajisjet e telekomunikacionit, ka realizuar tashmë marrëveshje në Vietnam, Rusi, Malajzi dhe Spanjë dhe tani është në kërkim të realizimit të më shumë kontratave në Lindjen e Mesme. Vitin e kaluar kjo kompani (që tashmë dominon në Afrikë) realizoi një marrëveshje me "Irancell", operatori kryesor i telefonisë celulare në Iran për zgjerimin e mbulimit të rrjetit. Analistët presin nga "Huawei" të bëjë ofertën e vet në tenderin 3.2 miliardë dollarë të Telekomit, bërë kohët e fundit publik nga Ministria iraniane e Telekomunikacionit. Marrëveshjet vazhdojnë të vijnë, teksa trysnia e sanksioneve rritet. Muajin e kaluar, Rusia negocioi për shitjen e 30 avionëve tregtarë tip "Tupolev" tek Irani, me vlerë 1.3 miliardë dollarë. Tre muaj më parë, kompania kineze e prodhimit të automobilave "Chery", bashkoi forcat me iraniane "Khodro", kompania më e madhe e prodhimit të automobilave në vend, në një sipërmarrje prej 370 milionë dollarëshe për të ndërtuar makina në Iranin verior. Me popullsinë në moshë për patentë që pritet të rritet së tepërmi në vitet e ardhshëm, "Chery" po kërkon tashmë të ndërtojë fabrika edhe në zona të tjera të vendit. Kompani të tilla kanë më shumë për t‘i ofruar Teheranit se sa thjesht oreksi i tyre për rriske. Pasi kanë zhvilluar bizneset e tyre në botën në zhvillim, kompanitë kineze dhe ruse janë shpeshherë përpara kompanive perëndimore sa i përket njohurive për të bërë biznes në popullsi të mëdha rurale, për të përballuar me sukses burokracinë, si dhe klientë me të ardhura të ulëta, që numërojnë edhe qindarkat. Falë Uashingtonit, duket se avantazhi i tyre në këtë drejtim vetëm do të rritet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›