E Diel, 1 Nëntor 2026

Julia Timoshenko, këtë radhë triumfon

Parlamenti ukrainas, të martën, riktheu Julia Timoshenkon në detyrën e Kryeministres, duke vulosur kështu një rikthim politik për një figurë kyçe të Revolucionit Portokalli, të 2004-ës, në vendin që dikur i përkiste Bashkimit Sovjetik. Timoshenko, që është ripajtuar me Presidentin properëndimor, Viktor Jushçenko, para zgjedhjeve parlamentare të shtatorit, ku edhe fituan 226 vende në Parlamentin me gjithsej 450 deputetë. Ndërkohë, partitë e opozitës nuk morën pjesë në votim. Pas Timoshenkos, Parlamenti miratoi edhe kabinetin e saj, në të cilën përfshihet një reformist veteran, Viktor Pynzenyk, ministër Financash, dhe një akademik, Bohdan Danylyshyn, si ministër Ekonomie. Para votimit, Timoshenko mbajti një fjalim, në të cilin premtoi se do t‘i jepej fund korrupsionit pas 16 vitesh pavarësi. Ajo tha se do të rikthente në jetë idealet e protestave të 2004-ës, përfshirë edhe premtimin për ecjen drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO. Ndër prioritetet e saj do të jenë mbikëqyrja e një qeverie të pastër dhe zbatimi i reformave ekonomike, juridike dhe politike, përfshirë edhe programin e privatizimit, larg praktikave korruptive. Timoshenko udhëhoqi turma të mëdha në Kiev gjatë "Revolucionit Portokalli", që ngjiti në pushtet Jushçenkon dhe ishte Kryeministre për shtatë muaj, para se të dy ata të përplaseshin dhe ajo të shkarkohej nga detyra. Tani ajo udhëheq koalicionin mes bllokut të saj portokalli dhe "Ukrainës Sonë" të Viktor Jushçenkos, që normalisht kontrollon 227 vende në një Parlament tepër të ndarë. "Dukshëm, kjo ishte një fitore në teh të thikës...Kjo tregon se sa i ndarë është Parlamenti dhe sa i ndarë është edhe vetë koalicioni qeverisës", thotë Ivailo Vesselinov, analist ukrainas. Si pasojë, shton ai, edhe vetë qeveria do të jetë e brishtë...Marrëdhëniet me Rusinë gjithsesi nuk do të jenë aq të këqija sa më parë, pasi vetë Timoshenko i ka moderuar jo pak retorikat e saj. Kryeparlamentari Arseniy Yatsenyuk ka buzëqeshur sepse vota e tij, e fundit që u numërua, i dha Timoshenkos numrin që i nevojitej. E më pas, Timoshenko dukshëm e kënaqur, me gërshetin e saj tradicional dhe fustanin e bardhë, u rrethua menjëherë nga mbështetësit që duartrokisnin. Me diplomatin e karrierës Volodimir Ohrizko në postin e ministrit të Jashtëm dhe besnikun e hershëm të Jushçenkos, Juri Jekhanurov, në krye të Dikasterit të Mbrojtjes, të dy të emëruar nga Presidenti, politika ukrainase e ecjes drejt Perëndimit, pa asnjë dyshim do të mbetet e paprekur. Vetë Jushçenko nuk gjendej në Parlament, por deklaroi se koalicioni kishte dhënë prova se do të ishte jetëgjatë. Ai ishte i sigurt se "hapat e tij për të realizuar prioritetet kryesore të vendit do të rezultonin të suksesshme". Ndërsa Kryeministri në largim, Viktor Janukoviç, tha se Ukraina do të përfshihej pas kësaj nga destabiliteti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›