E Diel, 1 Nëntor 2026

Rusia dërgon material nuklear në Iran

Shtetet e Bashkuara të Amerikës humbën një betejë të gjatë e të lodhshme në çastin kur - siç u deklarua të hënën - Rusia furnizoi me karburant nuklear një impiant iranian, i cili është në qendër të debateve ndërkombëtare për programin bërthamor të këtij vendi. Ndërkaq, nga ana e tij, Irani deklaroi se ka ndër mend të ndërtojë një impiant të dytë të këtij lloji

Teksa deklaronin të hënën se ishte kryer dërgesa e ngarkesës e parë me uranium të pasuruar për impiantin nuklear të Bushehrit, në jug të Irakut, zyrtarët rusë thanë se, pas mbërritjes në destinacion, ngarkesa do të vihej menjëherë nën kontrollin e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore, mekanizëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Rusët shtuan gjithashtu se kishin marrë nga ana e qeverisë së Iranit të gjitha garancitë e nevojshme që materiali nuklear do të përdorej ekskluzivisht për impiantin në fjalë.

Nga administrata "Bush" nuk u dëgjuan kritika kundrejt vendimit të rusëve, përkundrazi u artikuluan fjalë që mbështesnin çdo furnizim nga jashtë, i cili do të bënte që Irani të ndalte programin e tij të pasurimit të uraniumit.

"Në rast se rusët treguan vullnet për të kryer një lëvizje të tillë, të cilën e mbështes, kjo bën që iranianët të mos kenë më nevojë të mësojnë vetë si ta pasurojnë uraniumin", tha Presidenti Bush të hënën. "Në rast se iranianët e pranojnë atë uranium për ta përdorur në një impiant nuklear civil, atëherë nuk ka më pse të mësojnë ta pasurojnë".

Por, nga këndvështrimi amerikan, çasti kur u krye furnizimi nuk mund të ishte më i keq, duke qenë se erdhi vetëm dy javë pas konkluzionit të publikuar nga shërbimet e fshehta të Shteteve të Bashkuara, sipas të cilave Irani e ka ndërprerë programin ushtarak nuklear që në vitin 2003. Vlerësimi i bërë nga shërbimet e fshehta konkludonte gjithashtu se Irani nuk e kishte rinisur programin në gjysmën e vitit 2007, duke zhvlerësuar një prej justifikimeve më të rëndësishme të administratës "Bush" për të ushtruar presion ndaj Iranit.

Ndërkaq, zyrtarë të lartë amerikanë këmbëngulin se vlerësimet e bëra nga shërbimet e inteligjencës nuk duhej të bënin që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre të ulnin presionin ndaj Iranit, i cili mund të merrte edhe më shumë guxim nga klima e re politike. Raporti ul gjithashtu gjasat që Kina dhe Rusia, dy nga vendet me më pak interes për sanksione kundër Iranit, të binin dakord mbi një raund të ri sanksionesh të ashpra kundër këtij vendi nga ana e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Vendimi i Rusisë për të furnizuar me material bërthamor impiantin e Bushehrit, veç mund t‘i japë më shumë guxim Iranit, u shprehën privatisht disa zyrtarë të lartë amerikanë dhe diplomatë evropianë. Askush nuk mori përsipër të shprehej publikisht lidhur me pasojat e furnizimit, pasi nuk ishin të autorizuar nga vendet e tyre.

Shtëpia e Bardhë tregoi shumë kujdes në komentet e bëra lidhur me këtë zhvillim. "Nuk ka asnjë dyshim se Rusia dhe e gjitha bota nuk kanë interes që Irani të ketë armë nukleare", tha Gordon D. Xhondroe, një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë. "Dhe deklarata e sotme përbën edhe një shtysë tjetër, që iranianët të bëjnë zgjedhjen e duhur strategjike, duke hequr dorë nga pasurimi i uraniumit". Por, privatisht zyrtarët e lartë amerikanë u shprehën se kishin shpresuar gjatë që Rusia nuk do të pranonte ta furnizonte Iranin me material nuklear, për t‘i bërë të qartë mesazhin se Shtetet e Bashkuara dhe aleatet e saj, Evropa, Kina dhe Rusia, do të mbanin qëndrim të ashpër kundrejt vendit mysliman për ta detyruar të hiqte dorë nga pasurimi. "Për vite me radhë ishim përpjekur ta ndalonim diçka të tillë dhe këtë vit kuptuam se qe e pamundur. E dinim që në një çast do të ndodhte, nuk na mbetej veçse të mbanin frymën e të prisnim", tha një zyrtar i lartë i administratës amerikane.

Ndërkaq, Irani tha se nuk kishte ndër mend të pezullonte pasurimin e uraniumit vetëm sepse kishte marrë një ngarkesë nga Rusia, madje konfirmoi se ka ndër mend ta pasurojë uraniumin për një tjetër impiant nuklear në jug të vendit, raportoi agjencia e lajmeve "Fars".

Golamreza Agazadeh, kreu i Organizatës Iraniane për Energjinë Atomike, tha se Iranit i nevojitej karburant bërthamor për një tjetër impiant, i cili është në ndërtim e sipër. "Po ndërtojmë një impiant nuklear me fuqi 360 megavat në Darkovin", tha Agazadeh. "Uraniumi i nevojshëm për këtë impiant do të pasurohet nga impianti i Natanzit", shtoi ai, sipas agjencisë "Fars".

Darkovini është një qytet në provincën jugore të Kuzistanit, në veri të Bushehrit, i cili më shumë njihet për nëntokën e pasur me naftë. Natanzi është zona ku Irani ka instaluar centrifugat për pasurimin e uraniumit. Si Bushehri, ashtu edhe Darkovini ishin projekte të planifikuara përpara revolucionit të vitit 1979, për t‘u braktisur më pas. Nuk dihet ende në ç‘shkallë kanë mbërritur ndërtimet në Darkovin.

Ndërtimet në Bushehr janë stërzgjatur për shkak të vonesave të përsëritura, më së shumti nga qëndrimi rus karshi synimeve nukleare të Iranit, thanë disa diplomatë evropianë dhe amerikanë. Gjatë këtij viti, Rusia vonoi një ngarkesë, e cila duhej të mbërrinte në mars, duke e akuzuar Iranin për vonesën e pagesës prej 25 milionë dollarëve. Në atë kohë, zyrtarët e administratës Bush shprehën kënaqësi për vonesën dhe ia atribuuan vullnetit rus për të ndihmuar presionin perëndimor kundër programit nuklear të Iranit.

Javës që shkoi, Sergei Shmatko, drejtori i kompanisë "Atomstroyexport", kontraktori rus përgjegjës për impiantin, shpalli se Rusia dhe Irani i kishin sheshuar mosmarrëveshjet financiare lidhur me zhvillimin e mëtejshëm të projektit, megjithëse nuk përcaktoi një datë për përfundimin e tij.

Irina F. Esipova, një zëdhënëse e "Atomstroyexport", tha se impianti i Bushehrit do të ishte i kompletuar teknikisht dhe në gjendje operative jo më shpejt se gjashtë muaj përpara dërgimit të të gjitha sasive të karburantit nuklear.

Rusia i njoftoi zyrtarët amerikanë për nisjen e ngarkesës dy javë më parë, thanë autoritetet amerikane. Zyrtarët, të cilët folën nën kushtet e anonimitetit, pasi nuk qenë të autorizuar të shpreheshin publikisht, thanë se Rusia kishte rënë dakord në vënien e një serie kushtesh që do të lejonin inspektime më të detajuara ndërkombëtare në Bushehr.

Shtetet e Bashkuara kanë pohuar se për Rusinë ishte e pranueshme të furnizonte Iranin me material bërthamor, në çastin kur ky i jepte të gjitha garancitë për përdorimin civil të tij. Zyrtarët amerikanë thanë se kishin arritur në përfundimin se shteti i tyre nuk kishte më asnjë armë në dorë për të ndalur furnizimin e Iranit nga Rusia.

Por, "kur punoja nënsekretar i Shtetit për Kontrollin e Armëve, shpenzuam shumë kohë dhe përpjekje - të suksesshme - për të bindur rusët të mos i furnizonin", tha Xhon R. Bolton, ish-ambasadori amerikan pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, gjatë një interviste të hënën.

Ai shtoi se besonte që vendimi i fundit të reflektonte ndryshime te njerëzit që janë përgjegjës për programin nuklear rus, ndryshime te vetë Presidenti Putin, si edhe qëllime të reja ekonomike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›