2007, vit i mbrapshtë për gazetarët
Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve - një grup i pavarur që promovon lirinë e shtypit dhe mbron të drejtat e gazetarëve - gjatë vitit që përfundon pas pak ditësh janë vrarë më shumë gazetarë se në çdo vit tjetër që nga 2004-a.
Në raportin e përpiluar çdo vit nga komiteti, mësohej se 64 gazetarë vdiqën në rrethana të lidhura me punën e tyre gjatë vitit 2007. Thuajse gjysma e këtyre vdekjeve, 31, ndodhën në Irak, i cili cilësohet si vendi me rrezik më të lartë për jetën e gazetarëve për të pestin vit radhazi. Sipas komitetit, më së shumti këto vrasje kishin në shënjestër vetë gazetarët, në të kundërt të viteve të tjera, kur kishin gjetur vdekjen aksidentalisht, për shkak të pranisë në skena përplasjesh të armatosura.
Në Afrikë, numri i vdekjeve arriti në dhjetë gjatë këtij viti, tetë më shumë se një vit më parë, kur qenë regjistruar vetëm 2 gazetarë të vrarë. Në Somali, e dyta në listën e vendeve më vdekjeprurëse për gazetarët gjatë 2007-ës, u kryen shtatë prej dhjetë vrasjeve.
Në raportin e përvitshëm të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, përfshihen vdekjet e gazetarëve që rezultojnë si pasojë e përfshirjes së drejtpërdrejtë në skena luftimesh, dhune apo kundërvënie të drejtpërdrejtë ndaj detyrës së gazetarit, siç ishte edhe vrasja e botuesit turko-armen, Hrant Dink, i cili gjeti vdekjen në Stamboll në janar të këtij viti. Raporti mbulon periudhën nga 1 janari i vitit 2007 deri të hënën.
Për rastin e Irakut, komiteti citon "atentatorët e paidentifikuar, kamikazët dhe aktivitetin ushtarak amerikan", si shkaktarët kryesorë të vdekjeve të shumta. "Të punosh si gazetar në Irak mbetet një ndër punët më të rrezikshme në të gjithë planetin", tha Xhoel Simon, drejtori ekzekutiv i komitetit, i cili e ka selinë qendrore në Nju-Jork. "Këta gazetarë e dhanë jetën për të bërë të mundur që secili prej nesh të jetë i informuar për gjithçka që ndodh sot në Irak".
Një ndër problemet më të mëdha, me të cilat përballet ky profesion në Irak, është që agjencitë ndërkombëtare të lajmeve po i anashkalojnë kufizimet që u janë vendosur për sa i përket mbulimit të territorit, duke ngarkuar me detyra me doza të larta rreziku joprofesionistë, pa trajnimin e duhur për situata të tilla, tha Tala Doulatshahi, i "Reporterëve pa Kufij", një tjetër organizatë që promovon lirinë e shtypit dhe mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve.
Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, me një përjashtim të vetëm, që të gjithë gazetarët që humbën jetën ishin qytetarë irakianë, ndërkohë që nëntë prej tyre punonin për agjenci të huaja lajmesh. Sipas të dhënave të raportit, që me fillimin e luftës së Irakut, në mars të vitit 2003, 124 gazetarë dhe 49 pjesëtarë të stafeve mbështetës kanë gjetur vdekjen në këtë vend.
Për sa i përket Afrikës, mosmarrëveshjet për kufijtë mes vendeve, si dhe konfliktet mes tribuve kanë krijuar një klimë gjithnjë e më të rrezikshme për gazetarët. Sipas indeksit të vitit 2007 të organizatës "Reporterë pa Kufij", Eritrea zëvendësoi Korenë e Veriut në kreun e listës së vendeve më të këqija për sa i përket lirisë së shtypit.
Nga raporti mësohet se tre gazetarë meksikanë gjetën vdekjen gjatë vitit 2007. Që të tre kishin raportuar apo ishin në raportim e sipër të lidhjeve të ngushta mes karteleve të drogës dhe autoriteteve qeveritare e policore. Disi më e ndryshme shfaqet gjendja në Kolumbi, ku sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, për herë të parë gjatë këtyre 15 viteve të fundit nuk janë regjistruar gazetarë të vrarë. E tillë rezulton gjendja edhe në Filipine, nga ku nuk raportohen vdekje për shkak të ushtrimit të këtij profesioni. Në repart theksohet se për herë të parë Filipinet nuk renditen në krye të listës së vendeve më vdekjeprurëse për gazetarët. Megjithatë, në thuajse të gjitha këto vende vazhdojnë hetimet mbi aksidente, ku gazetarët kanë gjetur vdekjen.
E vetmja viktimë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë vitit 2007 ishte Çonsi Beili, kryeredaktori i së përjavshmes kaliforniane "The Oakland Post", i cili u vra teksa raportonte mbi gjendjen financiare të një punishteje për prodhimin e brumërave.
Vdekjet e 64 gazetarëve të vdekur në të gjithë botën, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, janë tetë më shumë se shifra e regjistruar një vit më parë, ndërkohë që viti renditet i dyti në listën e më të mbrapshtëve, që nga viti 1981, kur komiteti mori përsipër të grumbullonte të dhënat për viktimat mes gazetarëve. Viti më vdekjeprurës ka qenë 1994-a, kur konfliktet në Ruanda, në Bosnjë dhe në Algjeri shkaktuan vdekjen e 64 gazetarëve.
Në një zë të veçantë të raportit 2007, komiteti nënvizon edhe vrasjet e 20 pjesëtarëve të tjerë stafesh mediatike, si përkthyes, shoqërues apo shoferë.
Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve, me seli në Bruksel, raportoi se 175 gazetarë dhe pjesëtarë të tjerë të stafit gjetën vdekjen për shkak të aksidenteve të dhunshme gjatë këtij viti, përfshi këtu edhe 69 në Irak. Rezultatet e deritanishme, me shumë gjasa, do të barazohen me ato të një viti më parë, i cili, sipas të dhënave të publikuara nga federata, ishte viti më vdekjeprurës për gazetarët, që kur kjo nisi të shqyrtonte rastet e aksidenteve një dekadë më parë.