E Diel, 1 Nëntor 2026

Akademikët zbulojnë vlerat e "Shekspirit të Lindjes"

Në kuadër të vitit ndërkombëtar të Rumiut
(2007), shpallur kështu nga UNESCO,
edhe në Tiranë u zhvillua dje konferenca
shkencore ndërkombëtare me temën "Rumiu në
Ballkan". Akademikë dhe studiues nga Shqipëria,
Kosova, Greqia, Turqia, Irani, Rumania,
Bosnja, iu bashkuan apelit të fondacionit kulturor,
"Saadi Shirazi", për të ndriçuar veprën e këtij
personaliteti të madh të kulturës perse e
botërore. Në konferencë morën pjesë edhe përfaqësues
nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë
dhe Sporteve, përfaqësues nga UNESCO dhe
Kryegjyshata botërore Bektashiane. Akademikë
studiues dhe personalitete si Jorgo Bulo, Alfred
Uçi, Ali Aliu (Shkup), Feti Mediu (Kosovë), Xhevahir
Spahiu, Dhori Qiriazi, Anton Papleka, Abdullah
Rexhepi (Iran), Gazmend Shpuza, Shaban
Sinani, Reza Karami (drejtor i fondacionit "Saadi
Shirazi") etj., me kumtesat e tyre
ndriçuan aspekte të ndryshme të
veprës së Rumiut dhe reflekset e
saj në kulturën ballkanike dhe
botërore.
Rëndësia botërore e veprës së
Rumiut lidhet me karakterin transnacional
mbikufitar të përmbajtjes
së saj. Në shumë vende e
popuj Rumiu çmohet si një shenjtor
dhe madje barazohet figurativisht
me profetët, me patrikët e
besimit në përgjithësi. Në kohët
moderne, lavdia e artit të Rumiut
ka pushtuar edhe Perëndimin,
duke përfshirë botën atlantike.
Me veprën e tij letrare dhe filozofike,
Rumiu reformoi mendimin
shoqëror dhe filozofinë e besimit,
duke u shndërruar në një
predikues të ideve të islamit të
moderuar, që pati pasues të
shumtë në gjithë botën, pasues të
cilët ndjekin edhe sot idetë e tij.
Rumiu ka pasur një ndikim
gjurmëlënës në zhvillimet
shpirtërore shqiptare prej Rilindjes Kombëtare
e këndej, duke ndikuar edhe te poeti ynë kombëtar,
Naim Frashëri.
"Masnavitë" e Rumiut janë përkthyer në shumicën
e gjuhëve të botës. Botimi në anglisht, dy
vjet më parë në SHBA, shënoi rekordin prej miliona
kopjesh, duke u shpallur libri më i shitur i
vitit 2004. Poezia e tij pëlqehet në të gjitha kulturat.
Nuk është vetëm Madonna që ka marrë
tekste për këngët e veta nga "Masnavitë" e Rumiut.
Ka pasur edhe nisma skenaristësh të
shquar për të bërë jetën e tij objekt të filmave
artistikë. Disa tekste të Rumiut janë bërë tekste
këngësh, duke përfshirë edhe këngëtarë shumë
të shquar perëndimorë. Shumica e teksteve të
këngëve të njohura në Perëndim, si "A Prayer"
("Lutje"), janë marrë pikërisht nga vëllimi i botuar
në SHBA me titullin "Word of Paradise" ("Fjalët e
parajsës"). Poemat më të njohura për dashurinë,
që krijoi Rumiu, janë pjesë e repertorit të aktorëve
më të mëdhenj të Hollivudit. Aktoret
Goldie Hawn dhe Demi Moore i kanë recituar ato
për mjedise elitare. Disku i Shahram Shivas, me
titullin "Rumi: Lovendrunk" ("Rumiu: i dehur
nga dashuria"), është një ndër më popullorët në
gjithë tregjet e muzikës bashkëkohore botërore.
Fondacioni kulturor, "Saadi Shirazi", është iniciator
i organizimit të konferencës shkencore
ndërkombëtare kushtuar vitit ndërkombëtar të
Rumiut, me mbështetjen e UNESCO-s, duke e
bashkuar Shqipërinë me hartën e një shumice
shtetesh euro-aziatike dhe euro-atlantike, që
kanë programuar veprimtari kërkimore e përkujtimore
në nderim të këtij jubileu.
Gjithashtu, gjatë zhvillimit të konferencës u
hap dhe një ekspozitë bukinistike me të gjitha
veprat e Rumiut, i cili është përkthyer në mbi 25
gjuhë të botës, përfshi edhe dy botime të reja në
shqip: një vëllim me poezi të zgjedhura nga Rumiu,
përkthyer me mjeshtëri nga poeti Dhori Qiriazi,
si edhe një vëllim tjetër përkthyer nga
kleriku i Kosovës, Qazim Bakalli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›