E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, 20% e ndërtimeve pa leje përjashtohen nga legalizimi

Qyteti i Fierit dhe i gjithë territori i qarkut është "i mbytur" nga ndërtimet pa leje, që janë edhe pa pronar e që automatikisht janë të përjashtuara edhe nga procesi i legalizimit. Nga verifikimi në terren i objekteve pa leje, një proces mjaft i rëndësishëm i legalizimit të ndërtimeve, është zbuluar se afro 20 për qind e ndërtimeve pa leje paraqiten pa pronar në Fier. Sipas të dhënave që vijnë nga zyrat e ALUIZNI-t në të gjitha njësitë vendore të qarkut, konfirmohet se në të gjithë territorin e Fierit numërohen mbi 1200 ndërtime pa leje e pa pronar. Është kjo masë prej afro 20 për qind të ndërtimeve pa leje në zonat informale të rrethit të Fierit, të cilat rrezikojnë të përjashtohen nga procesi i legalizimit. Zyra rajonale e ALUIZNI-t në Fier është ajo që bënë të ditur lajmin, ndërkohë që kreu i saj, Edmond Numani, shprehet se "ekziston edhe një mundësi për të shtyrë afatin e procedurave të legalizimit për to, pasi po kërkohet me ngulm gjetja e pronarëve". Shkak i rrezikut të përjashtimit nga procesi i legalizimeve apo dhe i shtyrjeve të afateve është bërë mungesa e pronarëve të tyre. E gjithë kjo ka ardhur pasi këto ndërtesa jo vetëm që janë të pabanuara, por janë braktisur, ndërsa janë lartuar si karabina. Sipas drejtuesit të legalizimeve në Bashkinë e Fierit, Aleksandër Ruko, ky problem ka sjellë një pengesë në ecjen përpara të këtij procesi. E gjithë kjo ka ndodhur, sipas Rukos, pasi një pjesë e objekteve pa leje janë të papërfunduara dhe pa banorë, çka sjell edhe pengesën tjetër, atë të këqyrjes së verifikimeve nga grupet në terren. "Ky është një fenomen mjaft i përhapur në qytetin e Fierit. Janë bërë ndërtime pa leje shumë vite më parë nga qytetarët dhe këto ndërtime janë braktisur pa u përfunduar. Për shembull, janë ngritur kolonat dhe janë hedhur soletat, por më pas janë lënë në atë gjendje, ndërkohë që sot duke qenë se janë të shumta përbëjnë atë që ne kemi të verifikuar si zonë informale, por që në të vërtetë nuk kanë pronar", ka shpjeguar Aleksandër Ruko. Sipas Rukos, që përgjigjet për Bashkinë e Fierit dhe sipas Edmond Numanit që përgjigjet për territorin e gjithë qarkut, konfirmohet se janë bërë përpjekje për të ushtruar kontroll edhe mbi këto objekte, që janë pa leje dhe njëkohësisht edhe të padeklaruara për përfitim legalizimi. "Kemi bërë verifikime nga grupet e punës, pas të cilave ka dalë se për shumë objekte nuk del pronar asnjë qytetar aktual i Fierit. Ne kemi tentuar disa herë, kemi bërë kërkimet tona, i kemi dërguar disa herë grupet e verifikimit, me qëllim gjetjen e ndonjë informacioni, por më kot. Kështu që nuk gjejmë informacion dhe ndërtesat i quajmë të përjashtuara", ka pohuar Edmond Numani.

Pengesa

Qeveria po vonon paketën financiare

Sipas krerëve të ALUIZINI-t në qark dhe në Bashkinë e Fierit, konfirmohet se një moment ngadalësimi i procesit të legalizimit është edhe vonesa e paketës së re financiare dhe miratimi nga qeveria i saj. Deri tani, Agjencia Kryesore e ALUZINI-t në qark ka kapërcyer fazën e verifikimit në terren dhe atë të plotësimit të procedurave të të gjitha ndërtimeve pa leje. Vetëm për Bashkinë e Fierit janë dërguar për miratim në Këshillin e Rregullimit të Territorit 2000 dosje objektesh pa leje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›