E Diel, 1 Nëntor 2026

Fond prej 11 milionë dollarësh për subvencionimin e fermerëve

Subvencionimi i bujqësisë për rritjen e prodhimit bujqësor është fusha ku do të përqendrohet Drejtoria e Bujqësisë dhe Ushqimit në rrethin në Fierit. Sektorët që përfitojnë nga ky subvencionin, janë pemëtaria, vreshtaria dhe ullishtat.

Drejtori i Bujqësisë dhe Ushqimit në Fier, Fatos Troka, ka pohuar se shuma për këtë qëllim, nga 500 mijë dollarë që ishte vitin e kaluar, për vitin 2008 ka shkuar në 11 milionë dollarë.

"Gjatë vitit 2007, në rrethin e Fierit përfituan nga subvencionimet 176 fermerë dhe sipërfaqja e mbjellë u rrit në masën 136 hektarë. Mund të them se pranë Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë dhe Ushqimit ka ardhur fondi tjetër në ndihmë të fermerëve dhe skemat e subvencionit, të cilat janë shtrirë në disa sektorë. Bëhet fjalë për subvencionim jo vetëm në pemëtari, vreshtari dhe ullishta, që patëm vitin e kaluar".

Sipas Fatos Trokës, shtimi i fondit për subvencionim tregon për efektshmërinë që ka pasur skema e vitit të kaluar dhe ndërkohë ka gjetur mbështetje në qeverinë shqiptare për fermerët jo vetëm të Qarkut Fier, por për të gjithë fermerët e Shqipërisë. "Jam i bindur se vitin e ardhshëm do të gjendet një fond edhe më i madh në ndihmë të fermerëve fierakë. Deri tani me të dhënat që kam regjistrohen rreth 215 fermerë që kanë aplikuar kryesisht në skemat e reja", thotë Troka. Ndihma që shteti do të japë për fermerët do të konsistojë edhe për matrikulimin e bagëtive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›