E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, bashkëjetesa me puset e naftës

Në fshatin Zharëz, disa ditë më parë kuu rrezikua të ndodhte tragjedia, ndodhen dhjetëra shtëpi pranë puseve FIER- Pas shpërthimit të fontanës në pusin 2116 në Zharëz të Fierit është ngritur pyetja se kush e ka fajin që puset janë ndërtuar pranë banesave. Në pothuajse të gjithë fshatin ndodhen puse të rrethuara nga shtëpi. Janë 15 puse aktive në prodhimtari dhe shumë të tjera janë puse të fondit të ndalur. Prej shumë vitesh 1800 banorë të këtij fshati jetojnë me ankthin e frikës, ndërsa qindra të tjerë janë të sëmurë nga karboni në gjak ose edhe me kancer. Shumë prej banorëve deklarojnë se shtëpitë janë ndërtuar në tokat e tyre të trashëguara ose të marra në bazë të ligjit 7501. “Është kompania Albpetrol ajo që duhet të marrë masa sigurimi për këto puse ashtu si kanë bërë firma të tjera”,- thonë banorët. Ndërsa drejtori i Albpetrolit, Ylli Gjoni, shprehet se puset janë ndërtuar prej dhjetëra vjetësh dhe janë banorët ata që kanë ngritur shtëpitë afër puseve.

Por banorët nuk kanë ndër mend që të ikin nga kjo zonë, edhe pse e dinë që është e rrezikshme. Dervish Hoxha një nga banoret që ka shtëpinë shumë pranë një pusi shprehet se po të ikin të gjithë banoret e fshatit do të iki edhe ai, në të kundërt do të vdesin të gjithë. “Trualli është i imi dhe unë me të bëj çfarë të dua. Askush nuk me lajmëroi që të mos të bëj banesën pranë pusit”,- tregon ai. Kryeplaku i Zharëzës, Jashar Baha, thotë se ngjarja ishte tragjike dhe shteti duhet t’i dëmshpërblejë të dëmtuarit. Sipas tij, të gjitha ndërtimet janë të para viteve 60’. Drejtori i Albpetrolit, Ylli Gjoni, thotë se të gjitha ndërtesat janë ngritur pas puseve, të cilat kanë një moshë 40- vjeçare. Sipas tij, asnjë banesë nuk duhet të jetë në një largësi deri në 15 metra nga puset aktive të naftës pasi kjo është e rrezikshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›