USAID: Qeveria të luftojë korrupsionin
Korrupsioni mbetet një problem i madh në Shqipëri dhe qeveria duhet të bëjë më shumë për ta luftuar atë – tha Edward Landau, drejtor i përgjithshëm i misionit të USAID-it në vend.
“Duhet të bëhen më shumë përpjekje për të reduktuar mundësitë e korrupsionit, bizneset duhet të kenë më shumë lehtësi për regjistrim dhe qytetarët duhet të kenë mundësinë të paguajnë taksat në formë elektronike duke mos pasur mundësi për tu përballur me punonjësit e taksave, të cilët mund të kërkojnë bakshishe” – tha Landau.
Ndërkohë, kryeministri Sali Berisha është shfaqur në një reklamë televizive ku u kërkon publikut të luftojnë korrupsionin dhe të denoncojnë rastet e abuzimit.
Shqipëria e treta në botë për korrupsion
Angazhimi i qeverisë për luftë pa kompromis kundër korrupsionit edhe për vitin 2007-të ka rezultuar të jetë një "flluskë sapuni". Shqipëria rezulton të jetë për këtë vit vendi i tretë me nivelin më të lartë të korrupsionit në botë. Sipas barometrit global të korrupsionit të testuar nga "Transparency Internacional" rezulton se 71 për qind e shqiptarëve u është dashur të japin ryshfet në këmbim të një shërbimi publik. Një shifër kjo 5 për qind më e lartë se një vit më parë ku vetëm 66 për qind e qytetarëve kishin dhënë para për shërbime të ndryshme. Me këto shifra vendi ynë renditet pas Kamboxhias dhe Kamerunit, dhe pothuajse në të njëjtin nivel me Kosovën, Maqedoninë, Filipinet dhe Pakistanin.
Sektorët e korruptuar
Barometri i 2007-të për Shqipërinë tregon se korrupsioni vazhdon të prekë qytetarët në nevojat e tyre më jetike siç janë shëndetësia, drejtësia, policia apo edhe ato më bazike siç janë shërbimet e telefonisë, energjisë eklektike apo ujësjellësit, të gjendjes civile, lejeve dhe licencave. Shëndetësia renditet e para si sektori më i korruptuar në Shqipëri. Qytetarët shqiptarë të cilët janë përballur me probleme mjekësore gjatë vitit 2007-të janë përballur edhe me një kërkesë të lartë mitmarrje nga punonjësit e këtij sektori. Në sondazhin e bërë, shëndetësia është vlerësuar me notën 4.2, ku 0 është nota që tregon nivelin më të ulët të korrupsionit dhe 5 është nota që tregon nivelin me lartë të tij. Korrupsioni në shëndetësi vjen si pasojë e mohimit të shërbimeve jetike ndaj qytetarëve. Në vendin e dytë sondazhi rendit sektorin e drejtësisë me notën 3.8. Nga drejtësia vjen kërkesa më e lartë për të dhënë ryshfet. Kështu sipas këtij sondazhi rezulton se 4 nga 10 qytetarë u kërkohet të japin ryshfet në gjykatë për të zgjidhur një çështje, apo fituar një të drejtë. Ndërkohë që shëndetësia ku ndonëse kërkesa për ryshfet është më e ulët niveli i dhënies së ryshfetit është disa fish më e lartë. Rreth 2/3 e qytetarëve japin ryshfet në institucionet e shërbimit shëndetësor. Në vendin e tretë me notën 3.7 renditen policia, shërbimet e gjendjes civile dhe licencave, shërbimet e utiliteteve (energjia elektrike, telefonia dhe ujësjellësi).
Sondazhi
Barometri Global i Korrupsionit është vëzhgim i opinionit publik i cili zhvillohet nga "Transparency Internacional" çdo vit, që nga 2003.Barometri eksploron se si korrupsioni ndikon në jetën e qytetarëve të thjeshtë, qëndrimet e publikut në lidhje me korrupsionin, opinionin e tyre në lidhje me shkallën e përhapjes së korrupsionit në institucione, grupe apo sektorë të ndryshëm, si dhe përvojat e tyre të dhënies së ryshfetit në institucionet me të cilat ata kanë rënë në kontakt, si dhe si e parashikojnë ata të ardhmen e luftën antikorrupsion, si dhe përpjekjet e qeverisë për të reduktuar korrupsionin. Në Shqipëri janë intervistuar rreth 2100 qytetarë. Është bërë një përzgjedhje kampionimi i cili përfshin si zonat urbane dhe ato rurale, si burrat ashtu edhe gratë, të gjitha grupmoshat që janë në gjendje të bëjnë një vlerësim për këtë fenomen, të gjitha përkatësitë fetare, edhe arsimin, si edhe grupet me mirëqenie të ndryshme.
Shëndetësia, sektori më i korruptuar
Shëndetësia renditet e para si sektori më i korruptuar në Shqipëri. Qytetarët shqiptarë të cilët janë përballur me probleme mjekësore gjatë vitit 2007-të janë përballur edhe me një kërkesë të lartë mitmarrje nga punonjësit e këtij sektori. Në sondazhin e bërë, shëndetësia është vlerësuar me notën 4.2, ku 0 është nota që tregon nivelin më të ulët korrupsionit dhe 5 është nota që tregon nivelin me lartë të tij. Në shëndetësi, ndonëse kërkesa për ryshfet është e ulët, niveli i dhënies së ryshfetit është disa fish më e lartë. Rreth 2/3 e qytetarëve japin ryshfet në institucionet e shërbimit shëndetësor.
Drejtësia, sektori që kërkon më shumë ryshfet
Drejtësia rezulton sektori i cili kërkon më shumë ryshfet nga qytetarët dhe sektori i cili ka koston më të lartë të ryshfetit. Pra ajo që paguajnë qytetarët shqiptarë në gjykata është disa herë më e lartë sesa ajo që paguajnë qytetarët në shëndetësi, në arsim, në taksa-tatime, në zyrat e gjendjes civile e në shumë sektorë të tjerë. Ajo që është për t'u theksuar në këtë drejtim është se drejtësia vazhdon të mbetet për të disatin vit radhas sektori me koston më të madh të ryshfetit. Kostoja e ryshfetit në Gjyqësor është 3 herë më e lartë sesa ajo që japin qytetarët në për shërbimin e taksa-tatimeve. Gjyqësori vlerësohet me notën 3.8, ku 0 është më pak e korruptuar dhe 5 është shumë i korruptuar.
Doganat në të njëjtin nivel si vitin e kaluar
Shërbimi doganor edhe këtë vit është përllogaritur së bashku me sektorët e taksa-tatimeve. Si i tillë nga sondazhi i kryer rezulton se ky sektor renditet në sektorët me nivel korrupsioni më të lartë. Konkretisht ai renditet pas shëndetësisë dhe gjyqësorit me notën 3.3. Një rezultat i tillë është nxjerr nga të dhënat që ka dhënë një pjesë e kufizuar, siç janë tregtarët apo biznesmenët. Megjithatë edhe ky sektor vazhdon të mbetet edhe për këtë vit pothuajse në të njëjtat nivele si dhe në vitin e shkuar. Megjithatë edhe ky sektor përbën një shqetësim të madh përsa i përket korrupsionit, pasi ka të bëjë direkt me të ardhurat publike, siç janë të ardhurat nga doganat dhe të ardhurat nga tatim-taksat.
Lufta antikorrupsion, qytetarët nuk besojnë më tek qeveria
Një nga treguesit më negativë dhe më shqetësues që pasqyrohet në raportin "Transparency Internacional" është padyshim edhe mungesa e besimit të qytetarëve se kjo situatë do të përmirësohet. Në ndryshim me vitin e kaluar ku niveli i besimit të qytetarëve te reformat e qeverisë ishte në masën e 42%-shit, këtë vit vihet re një mungesë edhe më e madhe besimi. Kështu kjo shifër ka arritur të përgjysmohet dhe nga 2100 qytetarë të intervistuar, vetëm 20 për qind e tyre besojnë se qeveria do të ketë sukses në reformat e saj. Mungesë besimi vihet re më shumë tek shtresat e arsimuara dhe tek grupmoshat e moshuara. Kjo sipas këtij raporti vjen për shkak të eksperiencës dhe dijes që kanë këto dy grupe sociale në lidhje me fenomenin e korrupsionit. Pra pesimizmi i qytetarëve është në raport të drejtë me rritjen e nivelit të korrupsionit. Sipas organizatorëve të këtij sondazhi kjo masë pesimizmi vjen pasi qeverisja aktuale pavarësisht se ka nisur një sërë reformash nuk ka munduar ato t'i përfundojë me sukses. Shqiptarët gjithashtu janë pesimistë në lidhje edhe me të ardhmen e fenomenit të korrupsionit në vend. Të pyetur nëse niveli i korrupsionit do të ndryshojë kah në vitin e ardhshëm, 78% e shqiptarëve mendojnë se niveli i korrupsionit nuk do të ndryshojë ose do të rritet. Shqipëria është vendi me nivelin më të ulët të besimit në të ardhmen e luftës kundër korrupsionit edhe në krahasim me vendet e tjera të rajonit ku veçanërisht Kosova dhe Maqedonia kanë pritshmëri për reduktim të nivelit të korrupsionit në 3 vitet e ardhshme. Sipas organizatorëve të sondazhit niveli i ryshfetit tregon se qeveria ka dështuar në ndalimin e korrupsionit masiv, veçanërisht në shërbimet publike. Kjo tregohet me rritjen e mitdhënies nga ana e qytetarëve. Gjithashtu në raportin e publikuar theksohet se korrupsioni ka minuar legjitimitetin e qeverisë dhe për më tepër fakti që shëndetësia, drejtësia, tatim-taksat vazhdojnë të mbeten të zhytur në korrupsion për vite me radhë, ka zbehur shpresat dhe besim e qytetarëve për një përmirësim të gjendjes së këtyre sektorëve. Ndërkohë në raport thuhet se vetëm 1 ne 5 shqiptarë mendon se puna e qeverise ka qenë e efektshme. Vitin e kaluar në këtë sondazh Shqipëria ishte vendi që i jepte mbështetjen më të madhe qeverisë në përpjekjet antikorrupsion në të gjithë rajonin. Sivjet mbështetja për përpjekjet antikorrupsion të qeverisë është 2-fish me e ulët.