E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdes vajza dyvjeçare, familjarët akuza mjekëve

Kleorda Nuredini është shtruar në spitalin e Sarandës me të vjella dhe bark por ka ndërruar jetë gjysmë ore më pas

SARANDË- Prindërit e një vajze të mitur që ka gjetur vdekjen tre ditë më parë në Sarandë kanë depozituar dje një kallëzim penal në prokurori për mjekët. Familja Nuredini akuzon mjekët e Sarandës se janë përgjegjës për mjekimin e gabuar që i ka kushtuar jetën fëmijës së tyre dy vjeçe. Denoncimi i prindërve ka edhe dy emra konkretë, ato të mjekes Varvara Korini dhe infermieres Fato Pashuni, të cilat akuzohen se ndodheshin në shërbimin e urgjencës ditën kur është paraqitur në urgjencë, me bark e të vjella, vajza dyvjeçare Kleorda Nuredini.

Sipas prindërve të vajzës, dy mjekët e kanë vizituar dyvjeçaren, e kanë vendosur në serume dhe kanë pritur përmirësimin e gjendjes shëndetësore të saj. Por krejt pa pritur, në orën 00.00 të ditës së shtunë, shëndeti i të miturës është keqësuar dhe tragjikisht ka ndërruar jetë. I ati, Klementi, i cili ndodhej aty në momentin e vdekjes, akuzon mjeken pediatre dhe infermieren për mjekim të vonuar, të pakujdesshëm e të gabuar, gjë që sipas prindërve ka sjellë vdekjen e fëmijës së tyre. Pas këtij denoncimi, policia ka sekuestruar kartelën mjekësore të vogëlushes dhe ka urdhëruar kryerjen e autopsisë dhe analizave të imtësishme, të cilat i ka dërguar në laboratorin e Tiranës për tu shprehur për shkaqet e vdekjes së dyvjeçares.

Vogëlushja Kleorda Nuredini kishte shkuar në Sarandë për pushime në hotelin pronarë të të cilit, ishin familjarët e saj. Vogëlushja, sipas të njohurve te familjes, kishte lindur dhe banonte në Tiranë dhe se kishte ardhur vetëm për të kaluar pushimet në Sarandë. Familjarët janë gjendur papritur në një situatë të vështirë, kur fëmijës së tyre më të vogël i janë shfaqur papritur të vjellat dhe bark i pandërprerë. Ata nuk kanë hezituar dhe e kanë shpënë në urgjencën e spitalit, duke iu lutur mjekeve për shërbim të menjëhershëm. Pas 30 minutash në mbikëqyrjen e të afërmve dhe mjekëve, vogëlushja ka ndërruar jetë dukei befasuar të gjithë. Drejtori i Shëndetit Publik, Dhimitraq Lapa, thotë se pa mbërritur rezultatet e analizave nga Tirana dhe pa u shprehur ekspertët që merren me shkakun e vdekjes së fëmijës ata nuk mund të flasim.

Vajza Kleorda Nuredini ishte më e vogla ndër tre motrat, fëmijë të çiftit Klement e Mira Nuredini. Sipas familjarëve, ngjarja i ka tronditur jashtë mase dhe pas përcjelljes së trupit të pajetë në varreza, ata janë në pritje të rezultatit të hetimit për të sqaruar shkakun e vdekjes. Për mjekët e spitalit të Sarandës ky është një nga rastet e rralla kur pacienti humb jetën në duart e tyre duke marrë shërbimin mjekësor. Tashmë të gjithë janë në pritje të përgjegjës së analizave të Mjekësisë Ligjore që do të përcaktojë shkakun e vërtetë të vdekjes dhe përgjegjësinë konkrete të mjekëve të akuzuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›