Tropojë, gjendet predha 100m larg shtëpive
TROPOJE- Pikërisht atëherë kur 15 milionë metra katrorë në Tropojë, Kukës e Has po deklarohen të pastruara nga minat antinjeri, të vendosura në zonën kufitare me Kosovën gjatë viteve të konfliktit me Serbinë, predhat e dala në sipërfaqe alarmojnë banorët dhe pushtetarët vendorë. Në fshatin Kamenicë të Tropojës u gjet një predhë mortajë e pa plasur në mes të një lëndine jo më larg se 100 metra nga shtëpitë e banuara. Zona në fjalë është e licencuar që në vitin 2001 si zonë e pastruar nga minat dhe mbetet mister prania e predhës detonatore në zonën e banimit. Menjëherë pas gjetjes së kësaj predhe, policia e Tropojës mori masa për neutralizimin e saj, ndërkohë mbetet në diskutim çështja nëse zona në fjalë është tërësisht e pastruar nga minat e serbëve të vëna gjatë vitit 1999. Fshati Kamenicë ka pasur që nga viti 1999 koha e vendosjes së minave në territorin në kufi me Kosovën, 1 të vdekur, 5 persona të gjymtuar dhe dhjetëra bagëti të ngordhura.