E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia e Vlorës bën parandalimin e një vrasjeje

Policia e Vlorës ka bërë të mundur parandalimin e një vrasjeje të planifikuar dy ditë më parë në qytetin e Vlorës. Sipas informacionit të Policisë së Komisariatit të Vlorës, në orën 18.30 minuta, pranë kishës katolike, në afërsi të qendrës së qytetit, janë konstatuar nga policia si të dyshuar dy persona të cilët lëviznin me një motor dhe kryenin lëvizje të dyshimta. Ata mbanin skafandra në kokë dhe pse ishte mbrëmje ata nuk i ngrinin skafandrat para fytyrës. Pasi policia ka dyshuar në lëvizjet e tyre, u është afruar dy personave për t‘i verifikuar, por në kohën që janë afruar ata janë larguar me shpejtësi në drejtim të lagjes "29 Nëntori", duke iu shmangur furgonit të policisë në rrugica të ngushta të kësaj lagjeje. Pas disa minutash ndjekjeje, dy shtetasit, kur kanë parë rrezikun e kapjes nga policia, kanë braktisur motorin dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes pa u kapur nga policia. Policia ka kapur motorin e braktisur nga dy shtetasit e më pas ka kryer kontrollin e zonës për rreth. Nga kontrolli i ushtruar rreth 50 metra nga braktisja e motorit, kanë gjetur një çantë sportive, ku brenda saj ka qenë një armë zjarri tip kallashnikov pajisur me një krehër me fishek automatiku M 56.

Sipas të dhënave të grumbulluara pas kësaj ngjarjeje, të dy këta shtetas kishin planifikuar një vrasje në qytetin e Vlorës. Gjithashtu, forcat e policisë kanë ndaluar shtetasin Shpati Lena, 22 vjeç, me banim në qytetin e Vlorës, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje. Ai u arrestua, sepse kishte kanosur pas një grindjeje për motive të dobëta Gjergji Kujtimin dhe Taulant Osmënaj me banim në qytetin e Vlorës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›