E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi: Toleranca, vlera më e kërkuar nga të gjitha shoqëritë moderne.

5 shkurt 2008

Presidenti i Republikës Bamir Topi i shoqëruar nga Zonja e Parë Teuta Topi ka marrë pjesë në konferencën “Roli i gruas besimtare në shoqëri” organizuar nga Instituti i Politikave Evropiane për Zhvillim Rajonal nën kujdestarinë e Kryetarit të Shtetit e me pjesëmarrjen e Krerëve të Komuniteteve Fetare në Shqipëri.

Në përshëndetjen e tij, Presidenti i Republikës është shprehur mes të tjerash: “Që në momentin e parë kur mua m’u propozua të mbështes këtë aktivitet, e kam mbështetur me shumë dashuri, e kam mbështetur me shumë motivim, sepse Kryetari i Shtetit mbi të gjitha duhet të stimulojë të gjitha ato ndjesi, të gjithë ato elementë pozitivë, që kanë të bëjnë me tolerancën në shoqëri. Unë besoj që kjo konferencë e pare, në këtë këndvështrim, do të japë një kontribut shumë të rëndësishëm dhe unë besoj se nuk do të jetë konferenca e parë që do të trajtojë këto elementë. Kështu që, edhe në këtë aspekt unë ju përgëzoj dhe besoj se ky do të jetë një kontribut shumë i çmuar, jo vetëm për ato gra, të cilat konsiderohen besimtare, por edhe për ato që nuk e ushtrojnë besimin, por në themelin e qënies së tyre, janë të bindura se edukimi i fëmijëve, toleranca në shoqëri, është një element shumë i rëndësishëm i shoqërisë moderne.”

Rolin e pazëvendësueshëm të gruas besimtare në të gjitha fushat dhe ndërgjegjësimin e shoqërisë për këtë rol të merituar të saj e kanë nënvizuar në përshëndetjet e tyre krerët më të lartë të komuniteteve fetare në Shqipëri, Kryetari i Komunitetit Musliman Shqiptar, Haxhi Selim Muça, Arkipeshkvi i Tiranës-Durrësit dhe Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Imzot Rrok Mirdita, në emër të Kishës Ortodokse Autoqefale në Shqipëri, Mitropoliti i Korçës, Imzot Joan Pelushi dhe në emër të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj.

Në konferencë merrnin pjesë Ministri i Shëndetësisë Nard Ndoka, gra të besimeve të ndryshme fetare, deputetë, akademikë, përfaqësues të institucioneve të ndryshme qendrore e vendore, personalitete të jetës kulturore e artistike dhe përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›