E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Presidentit Topi në Konferencën “Roli i Grave Besimtare në Shoqëri”.

5 shkurt 2008

Të nderuar organizatorë të kësaj konference,
Të nderuar përfaqësues të bashkësive fetare,
Të nderuar përfaqësues të Trupit Diplomatik,
I nderuar zoti ministër,
Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Është një kënaqësi e veçantë për mua që të përshëndes, natyrisht me një fjalë e shkurtër, e cila, në radhë të parë, vlerëson në mënyrë domethënëse mbajtjen e kësaj konference. Vlerësimin e parë do të doja ta jepja pikërisht për organizatorët, për drejtuesit e Institutit të Politikave Europiane, të cilët me shumë mendim e me shumë motivim kanë menduar të organizojnë këtë konferencë, e cila jo vetëm evidenton një vlerë të spikatur të shoqërisë sonë moderne, por nga ana tjetër vë në dukje pikërisht nevojën e bashkëpunimit të komuniteteve fetare me institucionet e shtetit, të mbarë shoqërisë, që pikërisht atë, që ne e kemi kthyer në një lejtmotiv, që është kthyer si standardi i parë i padiskutueshëm, i arrirë në shoqërinë shqiptare, pra harmoninia fetare, të përsoset më tej dhe të bëhet një vlerë, e cila duhet të përshkojë si një fill pozitiv mbarë shoqërinë, në radhë të parë familjet tona, fëmijët tanë, që në bazamentin e tyre të jenë të edukuar, pikërisht me atë që përcjell mesazhi fetar, që ka të bëjë me tolerancën, ka të bëjë me atë edukatë që duhet ta ketë çdo shqiptar në këtë shoqëri që konsiderohet, sikurse thashë, mjaft komplekse për sa i përket bazamentit të vet historik dhe mbi të gjitha harmonisë, me të cilën ne krenohemi kudo. Edhe sot në përballjen tonë integruese, kudo në Evropë ne krenohemi pikërisht me këtë tipar e vlerë të çmuar që ka shoqëria jonë.

Vendosja e sistemit pluralist në vitet 90-të solli atë që e kishim kërkuar të gjithë, lirinë e besimit, ushtrimin e fesë, ushtrimin e lirë të aktivitetit fetar dhe unë do të doja që në këtë takim, në radhë të parë, të risjell edhe njëherë në vëmendjen tuaj atë mision të rëndësishëm, mjaft të vlefshëm, të pamohueshëm që kanë pasur komunitetet fetare, që edhe në kohën e krizave, që ka kaluar vendi ynë, kriza, të cilat herë pas here janë shfaqur në shoqërinë tonë dhe në institucionet tona, kanë ditur të ringjallin shpresën për të ardhmen, të ringjallin tolerancën, të ringjallin dialogun. Ky është një moment shumë i rëndësishëm që edhe sot komunitetet fetare vijnë dhe japin kontributin e tyre për një temë, e cila për të parën herë vjen dhe sillet në një konferencë, pikërisht tema, e cila ka të bëjë me besimtarët, me gratë besimtare në shoqërinë tonë pluraliste. Eshtë temë e parë dhe është natyrisht temë shumë e rëndësishme. E kemi thënë edhe herë të tjera që janë gratë, ato që janë baza e familjes, janë baza e shoqërisë, por jo gjithmonë kanë qenë të vlerësuara. Është kapur një aspekt shumë sinjifikativ, që ka të bëjë me edukimin bazal, që gruaja bën edhe nëpërmjet besimit fetar, nëpërmjet edukatës që i jep fëmijës, nëpërmjet edukatës që përcjell në shoqëri, pikërisht në atë tolerancë që është vetë në natyrën e femrës, në natyrën e Zotit. Kështu që, edhe në këtë aspekt unë ju përgëzoj dhe besoj se ky do të jetë një kontribut shumë i çmuar, jo vetëm për ato gra, të cilat konsiderohen besimtare, por edhe për ato që nuk e ushtrojnë besimin, por në themelin e qënies së tyre, janë të bindura se edukimi i fëmijëve, toleranca në shoqëri, është një element shumë i rëndësishëm i shoqërisë moderne.

Që në momentin e parë kur mua m’u propozua të mbështes këtë aktivitet, e kam mbështetur me shumë dashuri, e kam mbështetur me shumë motivim, sepse Kryetari i Shtetit mbi të gjitha duhet të stimulojë të gjitha ato ndjesi, të gjithë ato elementë pozitivë, që kanë të bëjnë me tolerancën në shoqëri. Unë besoj që kjo konferencë e pare, në këtë këndvështrim, do të japë një kontribut shumë të rëndësishëm dhe unë besoj se nuk do të jetë konferenca e parë që do të trajtojë këto elementë. Ne, në shoqërinë tonë sigurisht mjaft komplekse, sikurse e thashë, kemi gra besimtare, të cilat jetojnë në fshat. Ato ushtrojnë aktivitetin e tyre fetar jashtë vëmendjes së shoqërisë, kemi gra të tjera, të cilat jetojnë në qytet, kemi gra besimtare, të cilat sot janë edhe në politikë, janë edhe në administratë, pra, besimi fetar sot është një e drejtë e pamohueshme e çdo individi, në radhë të parë e femrës shqiptare, e cila di të kombinojë shumë mirë aktivitetin e saj familjar, aktivitetin shtetëror dhe besimin fetar. Dhe kjo është një gjetje mjaft e bukur që do t’i kontribuojë, them unë, edhe maturitetit të shoqërisë shqiptare, e cila sikurse e kemi thënë, vjen çdo ditë dhe maturohet.

Unë kam rastin sot që në këtë sens të përkujtoj patjetër edhe figurën e madhe të Nënë Terezës, e cila është kthyer në një simbol të një gruaje besimtare të thjeshtë, e cila nuk e ka ushtruar fenë në një mënyrë shumë të thjeshtë, por ka shkuar përtej, është bërë një misionare në shoqërinë e të varfërve, të njerëzve në nevojë dhe është kthyer në një simbol të elementit të dhimbshurisë për njerëzit në hall dhe në nevojë, por nga tjetër ka ditur të kombinojë shumë bukur në mënyrë shumë të natyrshme, në një terren shumë natyral dashurinë për Zotin dhe dashurinë për kombin. Dhe ajo sot është bërë një simbol jo vetëm për Shqipërinë, është bërë një simbol në botë, por në radhë të parë është bërë një simbol për misionin e grave. Edhe njëherë, gjej rastin t'ju uroj suksese për këtë konferencë dhe besoj se kjo konferencë do të japë patjetër një mesazh shumë të mirë edhe për atë që ne sot e konsiderojmë ndoshta si një vlerë të vendosur, por jo të përkrahur nga të gjithë; kemi nevojë që të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga dëshira e tyre për të besuar, apo për të mos besuar, të venë në evidencë atë që kërkohet nga të gjithë, tolerancën, e cila është shumë e kërkuar në shoqëritë moderne.

Edhe një herë, suksese në këtë konferencë të nderuar!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›