E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Presidentit Topi në Forumin e Biznesit Shqiptaro-Kroat

21 prill 2008

I nderuar President Mesiç!
Të dashur biznesmenë!
Miq kroatë!

Është një kënaqësi e veçantë që jemi sërish së bashku në këtë forum të përbashkët shqiptaro-kroat, në praninë e zotit Mesiç, sikurse e kam theksuar dhe në takime të tjera, një mik i Shqipërisë, i të gjithë shqiptarëve, kudo ku ata jetojnë. Kemi pasur një takim mjaft të frytshëm me Presidentin Mesiç, kemi diskutuar çështje mjaft të rëndësishme të karakterit politik. Ajo me të cilën ne kemi konverguar në të njëjtën pikë, është pikërisht ai moment i shkëlqyer i marrëdhënieve politike që ekzistojnë sot midis Shqipërisë dhe Kroacisë. Presidenti Mesiç, edhe në takime të tjera, ka shprehur gjithmonë dëshirën e tij që marrëdhëniet politike të shkojnë edhe në funksion të rritjes së marrëdhënieve ekonomike, të rritjes së mundësisë dhe të hapësirës për biznesin e dy vendeve tona, gjë që u rikonfirmua edhe sot, jo vetëm në takimin kokë më kokë, por edhe në takimin midis dy delegacioneve tona. Natyrisht, të flasësh për hapësirën që krijon politika, për biznesin, është jo vetëm një element shumë i rëndësishëm i lidhjes së politikës me ekonominë, por edhe i atij elementi substancial që sot konsiderohet një nga momentet më të rëndësishëm të politikës globale. Fatmirësisht, në marrëdhëniet e karakterit politik, jo vetëm që jemi në sinkron të plotë, qoftë përsa i përket vlerësimit të situatës rajonale, të aspiratës euro-atlantike që kanë dy vendet tona, për nevojën e zhvillimit të mrrëdhënieve ekonomike në rajon, për çështjen e Kosovës dhe për atë domosdoshmëri që kemi për të zhvilluar më tej mjetet dhe rrugët e komunikimit. E kemi shprehur dhe vazhdojmë ta shprehim që, në mjaft raste, biznesi i ka paraprirë politikës. Kemi mjaft raste në eksperiencën e marrëdhënieve ndërkombëtare, ku biznesmenë të guximshëm, biznesmenë me intuitë, ndoshta edhe në përpjekje individuale, shkojnë në çdo cep të globit, shkojnë aty ku ndoshta edhe rreziku është relativisht i lartë. Kjo presupozon që, në qënien e biznesmenit, në botëkuptimin e tij, në interesat e tij, janë disa elementë që ecin përpara politikës dhe mundësive që ka politika apo koniukturat politike, për t’i krijuar mundësi pikërisht biznesit që të ecë përpara.

Në marrëdhëniet shqiptaro-kroate kemi një situatë tjetër, kemi një situatë kur ajo që kërkohet për biznesin tashmë është arritur. Kemi marrëdhënie të shkëlqyera të karakterit politik. Niveli i dialogut politik është jashtëzakonisht i mirë. Shqipëria dhe Kroacia, edhe në sfidat ndërkombëtare janë dy vende që në të njëjtën ditë morën ftesën për anëtarësim në NATO, çka presupozon që vendet tona po ecin me një frymë euro-atlantiste, po ecin me një frymë perëndimore, po ecin me një frymë ku dëshira për të bërë reforma, reformat në funksion patjetër edhe të sipërmarrjes, e cila duhet të veprojë në terren të përshtatshëm dhe të lirë, po ecin në drejtimin e duhur. Së bashku me Presidentin Mesiç, ne kemi vlerësuar shumë këtë frymë që ekziston tek biznesi, por kemi qenë kritikë pikërisht në këtë sens, që marrëdhëniet mjaft të mira politike dhe institucionale duhet patjetër që të shoqërojnë edhe një zhvillim të rëndësishëm të jetës së biznesit. Natyrisht këto janë pjesë të ligjëratave që juve i keni dëgjuar shpesh, por ne, duke vlerësuar shumë ardhjen e Presidentit Mesiç dhe personalitetin e tij, dhe karakterin mjaft praktik të ushtrimit të pozicionit të tij, jemi futur edhe në elementë konkretë. Unë rikujtoj datën 22 nëntor të vitit të kaluar ku Presidenti Mesiç u bë iniciator i një takimi të organizuar në Dubrovnik me Presidentë të Ballkanit, për nevojën e jashtëzakonshme që ka komunikimi midis njerëzve, komunikimi midis biznesit, ku rajoni ballkanik gradualisht përtej fitimit të sigurisë, të fitojë edhe shansin që të ketë më shumë investime. Të gjithë ishin të sinkronizuar në këtë pikë. Në këtë pozicion kemi qënë dhe sot, dhe fatmirësisht jemi tek forumi i biznesmenëve.

Unë kam rastin, zoti President, t’ju falenderoj edhe në emër të biznesit që është i pranishëm, biznesit shqiptar, për përpunimin e atyre tezave që juve i keni bërë dhe më parë, por që sot jemi ndoshta më afër se herët e tjera. U diktua nevoja e vendosjes së një ure tjetër komunikimi, të asaj pjese të domosdoshme të komunikimit që sot e ka gjithë bota, të komunikimit ajror, ku midis Shqipërisë dhe Kroacisë apo anasjelltas, të ketë një urë komunikimi të shpejtë, ku nga Zagrebi në Tiranë të vihet për 45 minuta. Dhe si me shaka i thashë Presidentit Mesiç kur u takuam, duke e falenderuar për mikëpritjen në Zagreb, i thashë që për të ardhur në Tiranë, kemi shkuar në Mynih. Pra, sot, biznesi dhe politika duhet të gjejnë optimalen e marrëdhënies së tyre, në mënyrë që ne të vendosim lidhjen më të shpejtë të mundshme, të rivendosim ato ura komunikimi që kanë qenë në traditën tonë, dhe do ishte ndoshta e pashpjegueshme që në kohën e teknologjisë moderne, këto mundësi të mos rikonfirmohen dhe të mos rivitalizohen. E kam fjalën dhe për linjën që ne dëshirojmë të ngremë në komunikimin midis Rjekës dhe Durrësit, sepse Deti Adriatik jo vetëm është pjesë e një eko-sistemi, por është një det i përbashkët, një det i cili patjetër jep shumë oportunitete, shumë mundësi, shumë mundësi komunikimi, dhe ne patjetër në fillim të shekullit të 21-të, duhet ta vemë si një nga elementët prioritarë të komunikimit tonë.

I nderuar President Mesiç!

Unë vlerësoj shumë rastin që juve në këtë delegacion keni ardhur i shoqëruar me njerëz të biznesit, çka do të thotë që në botëkuptimin tuaj, është e pamundur që një vend të zhvillohet vetëm me reforma të karakterit politik. Patjetër që reformat janë bazale, janë shumë të rëndësishme e të domosdoshme, por politika duhet të krijojë kushte, hapësirë, e kam fjalën këtu dhe për reformat ekonomike, edhe për terrenin e lirë, liberal, edhe për mundësitë që ofrojnë komunikime kaq të mira midis dy vendeve që konsiderohen fqinjë në rajon, pikërisht që biznesi ta ushtrojë aktivitetin e tij, jo në mënyrë të sforcuar, jo shpesh herë i penalizuar artificialisht, po të jetë në një terren ku ky aktivitet jetik për ekonomitë tona, në kushtet e zhvillimit kapitalist të ekonomisë, të jetë një promotor i vërtetë i rritjes së standarteve të vendeve tona.

Unë, edhe njëherë shfrytëzoj rastin të falenderoj Shtetet e Aleancës së Atlantikut të Veriut që na dhanë një shans shumë të madh për anëtarësim, për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, jo thjesht si një akt formal, por si një domosdoshmëri që do të krijojë të gjitha premisat, që pas rritjes së koeficientit të sigurisë në vendet tona, në rajonin tonë, biznesi të mos luftojë me risqe, por të jetë i sigurt, se në vende të sigurta natyrisht dhe investimet janë më të mëdha, investimet janë më të sigurta.

Unë, padyshim i referohem disa marrëveshjeve që tashmë janë të konsoliduara. Ne kemi parasysh edhe marrëveshjen e CEFTA-s, e cila do t’i japë një shtysë zhvillimit ekonomik në mbarë rajonin ballkanik, i cili aspiron jo vetëm të jetë pjesë e familjes europiane, por në vetvete, është një treg shumë i rëndësishëm i komunikimit njerëzor dhe i shkëmbimit të mallrave. Unë jam i bindur, zoti President, që politika në dy vendet tona, sidomos politika parlamentare, është shumë e rëndësishme për të zhvilluar më shumë dhe më tej, në mënyrë më të sofistikuar, mekanizmat fiskalë, që do të bënin të mundur që marrëdhëniet e biznesit të ishin fluide, të mos ishin të tilla që të ndesheshin me vështirësi artificiale. Ne po mundohemi të ecim në këtë linjë. Besoj që në çështjet e harmonizimit të sistemit fiskal, besoj do jetë dhe në interesin e institucioneve specifike, që do të bëjnë të mundur që, e ardhmja e dy vendeve tona të jetë një e ardhme më e sigurt përsa i përket investimeve dhe prosperitetit të shoqërive tona.

Unë në përfundim të fjalës sime, ju falenderoj zoti President, falenderoj të gjithë biznesmenët që kanë ardhur nga Kroacia, falenderoj biznesmenët shqiptarë, të cilët kanë qenë realisht promotorë dhe njerëz mjaft të guximshëm për të ardhur deri këtu ku kanë arritur, të cilët mendoj që nga territore te kufizuara, sot janë bërë aktorë të veprimtarive rajonale, por besoj edhe europiane.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›