E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Kryeministrin e Çekisë, Mirek Topolanek.

18 prill 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot Kryeministrin e Republikës së Çekisë, Mirek Topolanek dhe delegacionin që e shoqëron, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë.

Pasi i uroi mirëseardhjen në Shqipëri, Presidenti Topi e njohu Kryeministrin Topolanek me disa prej zhvillimeve kryesore në vend, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në reformat kryesore të ndërmarra, si dhe arritjet e Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit. “Një vlerësim i këtyre arritjeve, – vuri në dukje Presidenti Topi, – ishte edhe marrja nga Shqipëria e ftesës për anëtarësimin në NATO, një ngjarje historike, e cila do të thotë për ne më shumë përgjegjësi dhe angazhime serioze në të ardhmen”.

Në këtë kuadër, Kryetari i Shtetit falenderoi z. Topolanek për mbështetjen Çekisë me rastin e tragjedisë së Gërdecit, ndihmesën për integrimin në NATO
si dhe vuri në dukje rëndësinë e vijimësisë së kësaj mbështetjeje në proceset integruese të Shqipërisë, përmes shkëmbimit të përvojave dhe intensifikimit të kontakteve në të gjitha nivelet. Gjithashtu, Presidenti Topi shprehu dëshirën për ratifikimin sa më të shpejtë të MSA-së nga Parlamenti çek.

Gjatë takimit, Kryetari i Shtetit dhe Kryeministri çek vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve tona dhe shprehën vullnetin e përbashkët për intesifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në fusha me interes të ndërsjelltë, sidomos në aspektin ekonomik, atë të shkëmbimeve tregtare, energjitikës, bujqësisë e teknologjisë bujqësore, të turizmit, kulturës, etj.

Presidenti Topi i përcolli përshëndetjet më të përzemërta për Presidentin Klaus dhe rikonfirmoi ftesën për një vizitë të ardhshme në Shqipëri të Kreut të shtetit çek, që do t’u kontribuonte zgjerimit dhe thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

Nga ana e tij, Kryeministri çek Topolanek pasi falenderoi për mikpritjen, vuri në dukje kënaqësinë për sukseset dhe arritjet e Shqipërisë, e cila po bën të njëjtat hapa si dhe po përshkon rrugën e tranzicionit ashtu si ka bërë më parë vendi i tij, duke ofruar njëkohësisht mbështetjen e shtetit çek në mënyrë që të shmangen përsëritjet e gabimeve.

Z. Topolanek u shpreh se Shqipëria dhe faktori shqiptar kanë luajtur dhe po luajnë një rol tepër të rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në rajon, duke theksuar se Ballkani Perëndimor nuk ka rrugë tjetër veç integrimit në familjen evropiane. Kryeministri çek u shpreh gjithashtu se duhen rritur shkëmbimet tregtare duke parë mundësitë për të investuar në vendin tonë dhe duke zgjeruar bashkëpunimin në fushën energjitike, të teknologjisë, të turizmit, të kulturës, etj. Z. Topolanek vuri në dukje nevojën e shtimit të vizitave në nivelet më të larta duke theksuar domosdoshmërinë e një linje ajrore të drejtpërdrejtë mes Tiranës dhe Pragës.

Në takim ishte i pranishëm edhe Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›